Gramoz Vokrri: Ademi i cakton vetë gjyqtarët për ndeshjet e Superligës dhe i injoron ata që i thirr UEFA, puna e tij shumë jo transparente
Kandidati për kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Gramoz Vokrri thotë se kryetari aktual, Agim Ademi i zgjedhë vetë gjyqtarët para ndeshjeve.
Tash e një kohë të gjatë, trajnerët dhe klubet ankohen në referim dhe shpesh herë disa prej tyre kanë guximin edhe që të deklarojnë se ky ‘arbitër apo një tjetër nuk do referojë asnjëherë më në këtë stadium’.
Këto kritika për arbitrat nuk janë ndalur asnjëherë, as edhe pas afrimit të VAR-it.
Lidhur me gjyqtarët, Vokrri në “Duelin Sportiv”, deklaroi se Ademi i zgjedhë vetë këta gjyqtarë para çdo ndeshje.
“Shumë jo transparente. Kemi raste me gjyqtarët, kemi klube të cilave iu referon vetëm një gjyqtar tri katër ndeshje rresht, gjë që është e plotësisht e pakuptimtë. Kemi gjyqtarë me stemë të UEFA-s e FIFA-s të cilët nuk delegohën fare, por në të njëjtën kohë ftohen nga UEFA për të referuar ndeshje ndërkombëtare"
“Sistemi i delegimit bëhet nga kryetari drejtpërdrejt, këto gjëra janë plotësisht të papranueshme, nuk po dihet si shpërndahet klubet. Nuk ka transparencë se sa para i takojnë një klubi e sa një tjetëri", tha fillimisht ai.
Tutje, Vokrri i kujtoi Ademit se Federata është organ mbikqyrës i futbollit.
“Federata është organ mbikqyrës i futbollit e nuk duhet të jetë nënë për dike e njerk për dike tjëtër”.
Kujtojmë se Gramoz Vokrri ka dorëzuar 16 nënshkrime para disa javëve dhe është kundërkandidati i vetëm i Agim Ademit për zgjedhjet e 6 prillit.
Klubet që i dhanë nënshkrimet ishin: FC Drita, FC Prishtina, FC Drenica, FC Malisheva, FC Ulpiana, KF Trepça '89, KF Kika, KF Vllaznia, Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjakovës dhe Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit.
Para pak orëve, Ademit edhe iu publikua letra e UEFA-s, që e kishte suspenduar nga posti i kryetarit për dy vite e gjysmë.
Për këtë letër, Vokrri u shpreh se Ademi është një individ që e ka rrezikuar përjashtimin e Kosovës nga UEFA, vetëm që të vazhdojë të mbajë pozitën e kryetarit të FFK-së.
"Ky po shihet që është interesi i një individi, i cili ka rrezikuar edhe ta përjashtojë Kosovën (nga UEFA) për një interes të vetin, kjo më të vërtetë është tmerruese dhe shqetësuese".