“Goli i pranuar ishte enac”, Batatina si gjithnjë kritikon gjyqtarin: E favorizoi Gjilanin
Trajneri Tahir Batatina thotë se Gjilani nuk e meritoi avancimin në finale dhe që goli i Arbnor Ramadanit nuk duhej të pranohej sepse ishte enac (prekje e topit me dorë).
Gjilani shënoi fitore ndaj Llapit duke triumfuar me rezultat komod 3:1 në rezultatin e përgjithshëm për të siguruar finalen e Kupës së Kosovës.
Pas ndeshjes për “ArtSport”, Batatina komentoi ndeshjen duke u shprehur se nuk kishte futboll aktiv dhe si gjithnjë pas humbjeve u ankua në referim.
“Vetëm lojë nuk ka pasur, vetëm futboll nuk ka pasur. Gramosi (gjyqtari kryesor) nuk la me lujt futboll. E pamë që pjesa e dytë ka qenë 15 minuta, e para vetëm 20 minuta. Arbitri nuk akordoi as kartonin e verdhë për vonesa, as kartonin e dytë te ai rasti. Ai gol na vendosi larg objektivave. Mendoj se Gjilani nuk e meritoi se nuk ka as ekip për finale”.
“Ai as gol nuk ka qenë, se në momentin kur goditi topin ka qenë enac. Tani na mbetet të luftojmë në Superligë që të zëmë pozitën e tretë në tabelë dhe të dalim në Evropë”.
“Mendoj se do të garojmë me Dukagjinin dhe Gjilanin pasi me gjasë Prishtina do ta fitojë Kupën. Gjilani ia heqi nga dora Llapit një trofe, por nuk është një skuadër që mund ta fitojë prandaj do të luftojë për pozitën e tretë. Arbitri prapë ka qenë në favor të kundërshtarit, të gjitha rastet e dyshimta ka qenë në të mirë të tyre”.
Gjilani në finale do të përballet me Prishtinën.
