Goli i anuluar i Juventusit nxit debat, Shoqata e Gjyqtarëve: Nuk i kishim në dispozicion ato pamje
Polemika pafund në Itali pas ndeshjes së mbrëmshme mes Juventusit dhe Salernitanas, ku sulmuesit Milik padrejtësisht nuk iu konfirmua një gol i fitores në fund të takimit. Justifikimi që erdhi nga Shoqata e Gjyqtarëve ishte i çuditshëm.
Një ngjarje nga më të paprecedentet në epokën e VAR-it në Serie A ka ndodhur mbrëmë në “Allianz Arena”, ku Juventusit iu mohua një fitore në frymën e fundit, pasi kur u rishikua rasti nga dhoma e gjyqtarëve, u konstatua se aksioni kishte të bënte me një pozitë jashtë loje.
Mirëpo nga ajo që shihet qartësisht nga pamjet televizive, ishte Candrevsa ai që mbante në lojë Bonuccin dhe të gjithë të tjerët. Madje, sipas ekspertëve dhe teknologjisë së "Sky Sport", u evidentua se sulmuesi polak, Milik, ishte 3,42 metra në brendi të pozitë së rregullt të lojës.

Ky episod prodhoi përleshje mes lojtarëve dhe katër kartonëve të kuq që u dhanë nga gjyqtari kryesor Marcenaro. Gol që pamundësoi fitoren e Juventusit me rezultat 3:2 dhe – për më tepër – krijoi një situatë kaotike, me një amulli të madhe, që po vazhdon të jetë temë kryesore e diskutimit në të gjithë shtypin kombëtar italian.
Arsyetimi i çuditshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve
Shoqata e Gjyqtarëve në Itali u është përgjigjur kritikave të mëdha që janë adresuar në drejtim të tyre për keqmenaxhimin e rastit të mbrëmshëm në lidhje me golin e anuluar të Milik.
Ata kanë thënë se nuk i kishin në gatishmëri pamjet televizive që u shfaqën më vonë, ku shihej pozicionimi i Candrevas. Deklaratë që nxiti akoma edhe më shumë bujë dhe debat.
“Në lidhje me episodin në ndeshjen Juventus – Salternitana, konstatohet se organi teknik e ka shqyrtuar rastin në bazë të të gjitha pamjeve që ishin në gatishmëri. Organi i ka kërkuar klubit nikoqir që t’ia mundësonte shërbimin teknologjik për VAR nëse kamera në fjalë, e definuar taktike (ajo e "Sky Sport" që nxori pamjen se goli ishte i rregullt), por përgjigja që jepej ishte se ajo nuk ishte në dispozicion të VAR-it e as e gatshme të përdorej nga gjyqtarët. Me këtë saktësim jemi të bindur se kemi bërë qartësim në lidhje me rastin në fjalë”, thuhet në kumtesën e Shoqatës së Gjyqtarëve.
Tifozët juventinë nuk e kanë kapërdirë assesi këtë rast. Allegri e quajti me sarkazëm “referim të mirë” atë të Marcenaro, ndërsa më i ashpri ishte Bonucci, i cili tha se “kemi qenë të vjedhur nga gjyqtari”. Ndërkaq, Milik që shënoi golin e tretë, i cili më pastaj, iu anulua, me anë të një publikimi të një fotografie në rubrikën “Insta Story” të rrjetit social “Instagram”, shkroi “pa fjalë” – duke shprehur indinjatën e tij në lidhje me vendimin e marrë nga gjyqtarët.

