Juventusi shënon në minutat shtesë për të marrë një pikë të vlefshme kundër Salernitanës - NACIONALE

Juventusi shënon në minutat shtesë për të marrë një pikë të vlefshme kundër Salernitanës

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Salernitana nuk ka arritur ta mbajë rezultatin deri në fund të takimit, pasi që pësoi një gol në minutat shtesë nga Juventusi, për të barazuar me rezultat 2:2 në Allianz Stadium.

Zonja e vjetër po kalon në një formë të luhatshme dhe tani ky barazim është i katërti në gjashtë ndeshjet e fundit krahas edhe dy fitore, që vazhdon të mbetet skuadër e pamposhtur në Serie A, në këtë sezon me 10 pikë të grumbulluara në vendin e tetë.

Juventus – Salernitana

Thënë të drejtën, ndeshjen më mirë e filloi zonja e vjetër, duke krijuar raste shënimi, por portieri mysafir, Luigi Sepe ishte në formë duke ia mohuar golin, fillimisht Gleison Bremerit e pastaj të riut Fabio Miretti, në më pak se dy minuta hapësirë kohore në 10 minutëshin e parë të takimit.

Juventusi kishte posedimin topit gjatë tërë takimit, por jo edhe konkretizimin e rasteve, teksa mysafirët pothuajse në rastin e parë për gol shënuan me anë të veteranit të kampionatit italian, Antonio Candreva në minutën e 18-të të takimit, që vonoi paksa deri VAR e konfirmoi si gol të rregullt, për rezultatin 1:0.

Juventusi arriti të shënonte gjatë pjesës së parë me anë të Dusan Vlahovic, por goli u anulua për shkak të pozitë jashtë loje, pas rishikimit të rastit me video asistencë dhe rezultati mbeti ai i minutës së 18-të, 1:0.

Kur po afrohej drejt fishkëllimës së gjyqtarit të takimit për përfundimin e pjesës së parë, Bremer preku një top me dorë me të cilin rast u akordua penallti, e që Piatek e konkretizoi në gol, për të shkuar në pushimin mes dy pjesëve me rezultat 2:0.

Në pjesën e dytë ishte vetëm një skuadër, ajo e Allegrit që po kërkonte medoemos një rezultat të mirë që t’i shpëtonte humbjes së turpshme.

Zonja e vjetër e dominonte lojën me posedim e me raste shënimi, por sërish në formë ishte portieri mysafir, Sepe.

Se Zonja e vjetër kishte hyrë në pjesën e dytë me një qëllim e treguan shpejtë, ku vetëm pas gjashtë minutave të zhvilluara, shënuan golin e ngushtimit të rezultatit me anë të mbrojtësit brazilian Bremer.

Djemtë e Allegrit vazhduan ta kërkonin fitoren në çdo mënyrë dhe kjo iu shpërblye vetëm në minutat e fundit të takimit, kur në 90+3 Leo Bonucci shënoi për 2:2, pasi topi iu kthye nga humbja e penaltisë.

Dy minuta më vonë, në minutën e pestë të shtesës, Juventus shënoi përsëri por si në pjesën e parë edhe kësaj radhe goli u anulua nga VAR.

Goli u anulua por Milik ai që shënoi këtë gol u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për shkak të heqjes së fanellës dhe kështu do t’i mungojë skuadrës në ndeshjen e radhës.

Tensionet pas anulimit të golit bënë që edhe dy lojtarë të ndëshkoheshin me të kuq. Federico Fazio i Salernitanës dhe Juan Cuadrado i Juventusit të dy morën karton të kuq direkt, teksa njëjtë u ndëshkua edhe Allegri, pas protestave.

Lajme të ngjashme