NBA: Golden State Warriors e mposhtin Boston Celticsin për ta fituar titullin e katërt në tetë vitet e fundit - NACIONALE

NBA: Golden State Warriors e mposhtin Boston Celticsin për ta fituar titullin e katërt në tetë vitet e fundit

4 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Golden State Warriors e kanë mposhtur Boston Celticsin për ta fituar titullin e katërt në NBA në tetë vitet e fundit dhe të parin që nga viti 2018.

Warriors fituan 103-90 në ndeshjen e gjashtë finale në Boston për të triumfuar 4:2 në seri.

Pasi e mbyllën sezonin 2019/20 me një rekord të tmerrshëm prej 15 fitoreve e 50 humbjeve, ata u bënë ekipi i parë që e fitojnë titullin kampion dy vite pasi e përfunduan sezonin si ekipi më i dobët në ligë.

Stephen Curry, dy herë lojtari më i vlefshëm në sezonin e rregullt, u shpallë lojtari më i mirë i ndeshjeve finale të NBA-së për herë të parë.

34-vjeçari i shënoi mesatarisht 31.2 pikë në ndeshje gjatë gjashtë ndeshjeve finale, ndërsa në triumfin e së enjtes i shënoi 34 pikë.

Warriors e fituan titullin edhe në vitet 2015 dhe 2017, por i humbën finalet më 2016 dhe 2019, para se të mungonin në play-off në dy sezonet e fundit duke e rindërtuar skuadrën.

Kevin Durant u largua nga klubi i San Franciscos si lojtar i lirë më 2019, ndërsa Curry dhe Klay Thompson – i cili i shënoi 12 pikë të enjten – ishin të lënduar gjatë sezonit 2019/20.

Kjo dyshe, së bashku me lojtarin mbrojtës Draymond Green, luajtën rol vendimtar në katër fitoret që ia siguruan titullin.

“Ne e gjetëm një mënyrë për ta fituar”, tha Curry.

“Dyshime ke gjithmonë, por e di se sa e gjatë është rruga për t’u kthyer këtu, për shkak të vështirësisë së madhe për të fituar në këtë nivel”.

Celtics po udhëhiqnin 14-2 pas katër minutave lojë dhe 22-16 në fund të çerekut të parë, para se Warriors ta krijonin një ecuri prej 21-0 për të udhëhequr 37-22 rreth dhjetë minuta para pushimit mes pjesëve.

Kur Curry i shënoi tre trepikësha në gjashtë minutat e parë të çerekut të tretë, duke i shtyrë Warriors drejt një epërsi prej 72-50, ai e tundi kokën dhe nisi të bëjë me gisht kah gishti i unazës.

“Ne e ndërtuam këtë për 10 apo 11 vite dhe do të thotë shumë kur arrin në këtë nivel, sepse je i vetëdijshëm si të fitosh”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme