"Gjyqtari shkeli rregullin 9 të IFAB, 2022/23", kjo është ankesë e Prishtinës që u refuzua nga Komisioni Disiplinor - NACIONALE

"Gjyqtari shkeli rregullin 9 të IFAB, 2022/23", kjo është ankesë e Prishtinës që u refuzua nga Komisioni Disiplinor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

FC Prishtina ishte ankuar në Komisionin Disiplinor se gjyqtari Mentor Ajeti ka shkelur rregullat në ndeshjen ndaj Dukagjinit, dokumentin të cilin e ka siguruar Gazeta Nacionale.

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) gjatë ditës së martë refuzoi ankesën e FC Prishtinës për ndeshjen ndaj Dukagjinit duke e vlerësuar si të pabazë ankesën e klubit nga kryeqyteti.

"Bardhëkaltërit" u ankuan në humbjen e Kupës së Kosovës kundër Dukagjinit pasi gjyqtari Mentor Ajeti e kishte vlerësuar si të rregullt golin, pavarësisht që e ndaloi lojën për një faull në sulm.

FC Prishtina në ankesën e tyre, të cilën e ka siguruar Gazeta Nacionale ka treguar se gjyqtari Ajeti ka shkelur rregullin e 9-të të IFAB, 2022/2023, faqe 85 që thotë:

"Topi në lojë dhe jashtë saj. Sipas këtij rregulli topi është jashtë loje kur:

Ai e ka kaluar plotësisht vijën fundore apo vijën anësore, qoftë duke qenë në tokë apo në ajër

Loja është ndalur nga gjyqtari".

Meqenëse kjo është kundrejt rregullave, Prishtina kërkoi që ndeshja të përsëritet në një orar të vendosur nga FFK-ja

"Duke qenë se ky vendim i gjyqtarit nuk është marrë në bazë të perceptimit apo bindjes së lirë të arbitrit, por është aplikim i gabueshëm i rregullave të lojës, me çka ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt në epilogun e ndeshjes, FC Prishtina kërkon përsëritjen e ndeshjes në orar të cilin do ta vendos FFK", shkruhet në ankesën e tyre.

Sidoqoftë, Komisioni Disiplinor e ka vlerësuar si të pabazë këtë veprim.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e FC Prishtina – nga Prishtina dhe ndeshja e javës së 19-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, ndërmjet KF Dukagjini dhe FC Prishtina, regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, 1:0 në favor të KF Dukagjini nga Klina", njoftoi FFK.

Çfarë i mbetet të bëjë tani Prishtinës?

Drejtori i klubit ‘bardhëkaltër’ Artan Osmani për Gazetën Nacionale ka njoftuar se Prishtina është ankuar në UEFA dhe FIFA dhe tani do të ankohen edhe te Komisioni i Apelit të FFK-së, si shkallë e dytë.

“Na mbetet tani vetëm të dërgojmë ankesë në Komisionin e Apelit të FFK-së si shkallë e dytë, s’kemi çfarë të bëjmë”.

“Tashmë kemi dërguar një raport në UEFA dhe FIFA, të cilët kanë mbetur të na lajmërojnë”.

Lajme të ngjashme