FC Prishtina nuk dorëzohet: Ankohet në UEFA dhe FIFA, do të dërgojë ankesë edhe te Komisioni i Apelit të FFK-së
FC Prishtina ka dërguar ankesë në UEFA dhe FIFA për ndeshjen ndaj Dukagjinit, derisa do të ankohen edhe te Komisioni i Apelit të FFK-së shkaku i vendimit të fundit për ndeshjen ndaj Dukagjinit.
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës e vlerësoi si të pabazë ankesën e Prishtinës për ta përsëritur ndeshjen ndaj Dukagjinit, shkaku i një gabimi skandaloz të arbitrit Mentor Ajeti.
Sidoqoftë, drejtori i Prishtinës Artan Osmani për Gazetën Nacionale ka treguar se tashmë kanë dërguar ankesë në UEFA dhe FIFA, derisa do të ankohen edhe te Komisioni i Apelit të FFK-së.
“Na mbetet tani vetëm të dërgojmë ankesë në Komisionin e Apelit të FFK-së si shkallë e dytë, s’kemi çfarë të bëjmë”.
“Tashmë kemi dërguar një raport në UEFA dhe FIFA, të cilët kanë mbetur të na lajmërojnë”, tha shkurtimisht ai.
Komisioni Disiplinor refuzoi ankesën e Prishtinës, por nuk e përmendi fare gabimin skandaloz të Mentor Ajetit
Komisioni Disiplinor i përbërë nga Abdyl Bellopoja, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati e regjistruan si fitore të Dukagjinit triumfin ndaj Prishtinës, kurse nuk u diskutua fare gabimi i arbitrit Mentor Ajeti.
Sipas tyre, ankesa e Prishtinës është e pabazë, andaj rezultati do të qëndrojë i njëjtë me Dukagjinin që do të vazhdojë garën në çerekfinalen e Kupës së Kosovës.
"Refuzohet si e pabazuar ankesa e FC Prishtina – nga Prishtina dhe ndeshja e javës së 19-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, ndërmjet KF Dukagjini dhe FC Prishtina, regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, 1:0 në favor të KF Dukagjini nga Klina", shkruhet në vendimin e Komisionit Disiplinor.
