Gjyqtarët kosovarë dështojnë të kalojnë testet fizike të FIFA-s, Muhadri: Çka po na thirrni në telefon? - NACIONALE

Gjyqtarët kosovarë dështojnë të kalojnë testet fizike të FIFA-s, Muhadri: Çka po na thirrni në telefon?

4 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Sipas medieve lokale, plot shtatë gjyqtarë të futbollit të Kosovës, përfshirë edhe më të mirin e vitit të kaluar të Superligës, kanë dështuar të kalojnë testet fizike të FIFA-s dhe UEFA-s.

Dardan Çaka, gjyqtari më i mirë i shpallur vitin e kaluar në futbollin kosovar (përkundër se nuk ishte deleguar fare në gjashtë xhirot e fundit të Superligës) është në mesin e dhjetë emrave sipas 'Kanal10', ku bëjnë pjesë edhe Gramos Shala, Lirim Jashari, Valbon Hoxha, Shpëtim Murtezi, Burom Jahmurati, Bardh Ajeti, Arben Halilak dhe Valon Abazi, të atyre që kanë dështuar të kalojnë testet fizike nën mbikëqyrjen e shtëpive më të mëdha të futbollit në botë respektivisht Evropë, FIFA dhe UEFA.

Gjithashtu, edhe gjyqtarja anësore, Lumturije Muhadri, e cila ka drejtuar ndeshje të Ligës së Konferencës së bashku me Gramos Shalën, thuhet sipas mediumit në fjalë të ketë dështuar t'i kalonte testet fizike.

Për çka bëhet fjalë?

Atëherë, kështu... testi i përgatitjes fizike të gjyqtarëve (burra dhe gra) nga FIFA është implementuar për të kuptuar më shumë nga aftësitë fizike të atyre që ndajnë drejtësinë nëpër ndeshjet e futbollit nga e tërë bota, veç Amerikës Latine, vend për të cilin aplikohet rregullore tjetër.

Testi për asistentë të gjyqtarëve kryesorë, për Lumturije Muhadrin në këtë rast, është paksa më ndryshe.

Testi fizik i FIFA-s për gjyqtarët e futbollit përbëhet nga ty teste të ndara. Testi 1) Aftësia e sprintit të përsëritur, e cila bën matjen e aftësive të gjyqtarit/es për të performuar sprinte të përsëritura në 40 metra distancë.

Testi 2) Testi interval, i cili përcakton kapacitetin e gjyqtarit/es për të performuar disa vrapime me shpejtësi të lartë - 75 metra vrapim, 25 metra intervale ecjesh.

Kërkesat

1. Koha mes përfundimit të testit të parë dhe startit të testit të dytë duhet të jetë 6 deri në 9 minuta maksimum.

2. Testimet duhet të kryhen në pista atletikeje ose fusha natyrale/artificiale futbolli.

3. Këpucët me thumba NUK duhet të përdoren gjatë këtyre testimeve

Çka thonë gjyqtarët dhe FFK?

Nacionale ka tentuar të kontaktojë me ca gjyqtarë, por pa sukses, eventualisht për të rënë në kontakt me gjyqtaren anësore Lumturije Muhadri.

Muhadri u përgjigj në telefonatën e Redaksisë, por dështoi t'i përgjigjej pyetjes për "konfirmim nëse lajmi i raportuar është i vërtetë".

"Ku pe dini ju (që kam dështu), a keni qenë në stadium që me ditë a?", u shpreh ajo pasi u pyet nga Redaksia nëse lajmi në fjalë është i vërtetë apo jo.

"Çka po na thirrni në telefon", ishte një koment tjetër i saj, para se ta mbyllte telefonin.

Nacionale ka kontaktuar edhe me kryetarin e komisionit të gjyqtarëve, z. Përparim Hasani për të marrë një koment.

Sidoqoftë, ai nuk është përgjigjur, teksa është shprehur se "gjendem në një seminar dhe nuk mund të flas".

Lajme të ngjashme