Gjiganti portugez favorit për shërbimet e Ardon Jasharit
Skuadra e madhe portugeze e ka bërë prioritet transferimin e mesfushorit të Luzernit, Ardon Jashari.
Siç raporton "Sky", Porto ka shanset më të mira për të nënshkruar me futbollistin me prejardhje nga Maqedonia gjatë afatit kalimtar veror.
Jashari me paraqitje të shkëlqyeshme që një kohë është në vëmendjen e disa klubeve të mëdha si klubi gjerman, RB Leipzig dhe disa tjera që luajnë në Ligën e Kampionëve.
Luzern në anën tjetër e vlerëson shumë lartë Jasharin, rreth 7 milionë euro shkaku që së fundmi nënshkroi kontratë të re (deri në vitin 2026), pavarësisht që në "Transfermarkt" kartoni i tij kushton 2.5 milionë euro.
Mesfushori që përfaqëson kombëtaren e Zvicrës ka zhvilluar 25 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat për Luzernin, duke shënuar një herë dhe dhuruar tre asistime në proces.
Kujtojmë, ai tërë karrierën ka qenë pjesë e Luzernit duke nisur qysh nga grupmoshat U17.
Kombëtarja e Kosovës në të kaluarën provoi ta bindte që të luante për fanellën dardane, mirëpo lojtari iu bashkua listës që zgjedhin Zvicrën.
Në rast që mban formën e lartë, ai pritet të zbarkojë në Kosovë më 9 shtator, ku Zvicra është mysafir në "Fadil Vokrri" sa i përket kualifikimeve për Kampionatin Evropian "Euro 2024".
