Gazeta e njohur zvicerane shkruan se Granit Xhaka provokoi serbët, derisa Adem Jashari ndoshta u vra nga UÇK-ja
Mesfushori Granit Xhaka ka provokuar Serbinë, derisa komandanti Adem Jashari ndoshta ishte vrarë nga vetë UÇK-ja, kështu shkroi në një tekst të gjatë gazeta e njohur zvicerane "NZZ Magazine".
"Katër vite më parë afera me shqiponjën dykrenare u përshkallëzua, dy vjet më parë emocioni për flokët e lyer dhe tatuazhet, më në fund duhet të ketë një turne pa zhurmë siç kishte shpresuar Murat Yakin. Por, ndodhi pikërisht e kundërta. Një kapje e organit gjenital, një fanellë provukuese, e tëra nis me Granit Xhakën", kështu nisi shkrimin e gjatë gazeta zvicerane.
Xhaka ishte i jashtëzakonshëm në fitoren ndaj Serbisë, por kishte disa incidente ku u përplas disa herë me lojtarët kundërshtarë.
Sidoqoftë, sipas kësaj gazete fajtor ishte Xhaka pasi përpos provokimit duke kapur organin gjenital, futbollisti me prejardhje nga Kosova i ka provokuar serbët edhe me fanellën që e mbajti pas fitores, atë të Ardon Jasharit.
"Xhaka ka kapur organin gjenital gjatë një sherri verbal me stolin e lojtarëve serbë. Pas ndeshjes ai mbajti fanellën e shokut të skuadrës, Ardon Jashari, duke lënë mbiemrin e lojtarit 20-vjeçar në gjoksin e tij. Dy veprime dhe dy provokime", vazhduan ata.
Tutje, gazeta zvicerane duke u munduar ta sqarojë situatën që kishte ndodhur në Kosovë, pretendon se ekziston mundësia që komandanti legjendar Ademi Jashari u vra nga UÇK-ja.
"Provokimi tjetër që do të mbahet mend në Doha të sjellë kujtime të vjetra në konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës. Kur zviceranët nisën të festojnë, Xhaka mori fanellën e Ardon Jasharit dhe pak më vonë postoi edhe foto me fanellën e 20-vjeçarit në Instagram”.
"Në Serbi dhe Shqipëri, sigurisht emri "Jashari" nuk është i lidhur me futbollistin e Luzernit. Xhaka e di mjaftë mirë se ky emër iu kujton Adem Jasharin. Adem Jashari konsiderohet dëshmor dhe hero popullor në Shqipëri dhe Kosovë, dhe terrorist në Serbi. Jashari ndërtoi një milici në fund të viteve 1980 që më vonë udhëhoqi luftën e armatosur për pavarësinë e Kosovës nga Serbia".
"Milicia e Jasharit më vonë ishte e rëndësishme në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në vitin 1998, Jashari u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij. Rastësisht, ende nuk është sqaruar përfundimisht nëse Jashari është vrarë nga njësitet serbe apo nga njerëzit e tij të UÇK-së për shkak të luftës së brendshme për pushtet", përfundon gazeta zvicerane që shkroi se Xhaka edhe mund të dënohet nga FIFA me disa ndeshje moslojë, siç kishte ndodhur me Mario Balotellin.
Zvicra do ta zhvillojë sfidën e radhës ndaj Portugalisë, në kuadër të raundit të 16-të në Kupën e Botës.