Gabim i tmerrshëm nga Enea Koliçi, Ballkani pëson në fund ndaj Viktoria Plzen dhe mbetet me gjasa minimale për kalimin e grupit
Kampioni i Kosovës, Ballkani, sërish ka pësuar humbje 1:0 ndaj Viktoria Plzen, dhe në një ndeshje ku u paraqit larg më mirë se skuadra mysafire. Një gabim në fund i portierit Enea Koliçi dhe gjithçka u shkatërrua, por suharekasit mbeten akoma me gjasa për kualifikim tutje.
Pjesa e parë e takimit i takoi krejtësisht skuadrës së udhëhequr nga Ilir Daja, që pati rastet më të mira, por edhe posedimin e topit.
Bernard Karrica, Nazmi Gripshi e Edvin Kuc, rrezikuan seriozisht portën e mysafirëve, por në dy raste reagoi portieri, ndërsa njëra goditje përfundoi fare pranë portës.
Në anën tjetër, Enea Koliçi, e bëri atë që nuk e bëri në pjesën e dytë, pra u tregua shumë i sigurt në dy intervenime.
Pjesa e dytë ishte në anën e skuadrës çeke sa i përket rasteve, por topi vazhdimisht ishte nën kontroll të Ballkanit.
Viktoria Plzen pati disa raste në 45 minutat e dyta, me Koliçin që bëri mirë në tre prej rasteve, por dështoi në dalje në minutën e 81-të, që i kushtoi me gol kampionit të Kosovës.
Një harkim nga Lukas Kalvach, që pasoi me dalje të gabuar të portierit, lehtësisht në portë topin e çoi Pavel Sulc për 1:0 në minutën e 81-të, me të cilin rezultat përfundoi takimi.
KF Ballkani 0-1 Viktoria Plzeň, Pavel Šulcpic.twitter.com/eU7ViJkk1c
— FootColic ⚽️ (@FootColic) November 30, 2023
Viktoria Plzen arrin kështu fitoren e pestë në po aq takime, ndërsa Ballkani kalon në vendin e fundit me pikë të barabarta me Astanën e vendit të tretë, kurse Dinamo Zagreb ka gjashtë pikë në vendin e dytë.
Në xhiron e fundit, Ballkani luan ndaj Dinamos, ndërsa Astana përballet me Viktoria Plzen. E vetmja matematikë që e çon tutje Kampionin e Kosovës është që ata të fitojnë ndaj gjigantit kroat, ndërsa Viktoria Plzen të fitojë apo të barazojë me Astanën.
Ndeshjet e fundit, pra të xhiros së gjashtë të grupeve të Ligës së Konferencës, zhvillohen më 14 dhjetor.
