Futbollisti iranian dënohet me vdekje, pasi ngriti zërin për të drejtat e grave - NACIONALE

Futbollisti iranian dënohet me vdekje, pasi ngriti zërin për të drejtat e grave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportohet se futbollisti profesional Amir Hasr-Azadani është dënuar me dënim me vdekje për shkak se kishte bërë fushatë për të drejtat e grave dhe lirinë themelore për vendin e tij.

Nasr-Azadani, 26 vjeç, u arrestua në nëntor pasi kishte marrë pjesë në protestat e mëdha në Iran për vdekjen e Mahsa Amini, 22-vjeçares e cila kishte vdekur në paraburgim pasi ishte arrestuar nga policia iraniane e moralit për shkak se gjoja s’e kishte vendosur siç duhet shaminë në kokë.

Raportohet se Nasr-Azadani ishte arrestuar nën akuzat për bashkëpjesëmarrje në vrasjen e një kolonelit policor dhe të dy anëtarëve të milicisë vullnetare.

Regjimi iranian e akuzon atë se “ka nisur një luftë kundër zotit” dhe se ai do të ekzekutohet me varje, sipas Iran Wire.

FIFPRO, Unioni Ndërkombëtar i Futbollistëve, ka thënë në një komunikate për media se është i tronditur nga lajmi për dënimin me vdekje të 26-vjeçarit.

Ky union ka bërë thirrje që Nasr-Azadani të lirohet menjëherë nga regjimi iranian.

Irani është goditur nga protesta të mëdha që prej shtatorit, kur 22-vjeçarja Amni vdiq në paraburgim.

Dëshmitarët e akuzojnë policinë se e kishte futur atë në një furgon me forcë ku disa oficerë e kishin rrahur keq.

Nasr-Azadani është pa klub qëkur u largua nga Tractor, skuadra e Pro League në Gjirin Persian në vitin 2017 dhe nuk ka luajtur futboll profesional që prej atëherë.

Sipas Iran Wire, ai është në mesin e 28 iranianëve të cilët janë dënuar me vdekje për pjesëmarrje në protesta.

Në mesin e tyre janë edhe tre fëmijë, të cilët akuzohen për “korrupsion në tokë”.

Kundër regjimit të vendit protestuan edhe futbollistët e Kombëtares së Iranit, të cilët refuzuan ta këndojnë himnin kombëtar gjatë një ndeshjeje në Kupën e Botës në Katar në fund të nëntorit.

Lajme të ngjashme