Lojtarët e Iranit refuzuan ta këndojnë himnin e tyre kombëtar
Futbollistët e Iranit refuzuan ta këndojnë himnin para ndeshjes ndaj Anglisë në Kupën e Botës, si mbështetje për protestat antiqeveritare në vendin e tyre.
Derisa këndohej himni, u dëgjua edhe një numër i tifozëve që këndonin "Gratë, jeta, liria".
Lidhur me këtë reagoi edhe përzgjedhësi i Iranit, Carlos Queiroz që tha se lojtarët e tij kanë të drejtën për të protestuar.
Ka pasur një shtypje të ashpër të protestave në Iran, të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e Mahsa Amini në shtator.
22-vjeçari Amini u ndalua nga policia e moralit pasi dyshohet se ka thyer rregullat e rrepta rreth mbulesës së kokës.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se më shumë se 400 protestues janë vrarë dhe 16,800 të tjerë janë arrestuar në një goditje nga forcat e sigurisë të Iranit.
Udhëheqësit e Iranit thonë se protestat janë "trazira" të orkestruara nga armiqtë e jashtëm të vendit.
Tifozët iranianë mund të dëgjoheshin gjithashtu duke brohoritur "Ali Karimi" në pjesën e parë në lidhje me ish-futbollistin, i cili është një nga kritikët më të hapur të Republikës Islamike dhe një nga fytyrat më të njohura të lëvizjes protestuese.
Përpos kësaj ata edhe brohoritën "Be-Sharaf", që do të thotë i pandershëm në persisht. Ky është një mbiemër që protestuesit kanë përdorur kundër forcave të sigurisë në Iran.
Duke folur para ndeshjes, kapiteni i Iranit, Ehsan Hajsafi tha se lojtarët "mbështesin" ata që kanë vdekur.
Derisa, Queiroz shtoi se lojtarët e tij ishin "të lirë të protestojnë" për të drejtat e grave në vendin e tyre për sa kohë që "përputhet me rregulloret e Kupës së Botës dhe është në frymën e lojës".
Lojtarët e Iranit gjithashtu mbuluan simbolin e ekipit të tyre kombëtar kur luajtën dy ndeshje ndërkombëtare gjatë muajit shtator.
Duke folur për incidentin në pjesën e parë, prezantuesi i “BBC Match of the Day”, Gary Lineker tha: “Ishte një gjest i fuqishëm dhe shumë, shumë domethënës.
"Futbolli po përpiqet të përdorë fuqinë e tij për mirë."
Kujtojmë se Anglia mposhti Iranin me rezultat 6-2 në ndeshjen e grupit B.