FSHF reagon ndaj koreve raciste dhe përdhosjes së flamurit kombëtar nga çekët - NACIONALE

FSHF reagon ndaj koreve raciste dhe përdhosjes së flamurit kombëtar nga çekët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë pësoi humbje dje 2:0 nga Çekia, por diçka tjetër ra në sy përveç futbollit.

Ishin tifozët vendas ata që përdhosen flamurin kombëtar shqiptar, teksa edhe u dëgjuan koret raciste, e flamura të Serbisë me hartë të Kosovës në të.

Për këtë, ka reaguar Federata e Futbollit e Shqipërisë, duke dërguar notë proteste në UEFA.

Reagimi i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë aktet e turpshme që ndodhën gjatë ndeshjes së sotme kundër Çekisë. Koret raciste dhe përdhosja e flamurit shqiptar janë të patolerueshme dhe nuk i takojnë fushës së futbollit. Ky akt i rëndë përbën një sulm të hapur ndaj vlerave të futbollit dhe respektit midis kombeve.

Federata Shqiptare e Futbollit dënon fuqimisht çdo formë të racizmit dhe fyerjes ndaj simboleve kombëtare dhe do të dërgojë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar masa të menjëhershme disiplinore. FSHF reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës.

Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë dhe respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike. Shqiptarët, si pjesë e familjes së madhe futbollistike, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë racizmi apo urrejtjeje duke dënuar me forcë çdokënd që tenton të përdhosë bukurinë e këtij sporti.

Pavarësisht ndeshjes së sotme, Kombëtarja jonë ka treguar gjithmonë forcë dhe guxim për të përballuar çdo vështirësi duke u ngritur pikërisht atëherë kur lind nevoja. Bashkë me tifozët do të lëmë pas këtë ndeshje dhe bëhemi gati për të shkuar në Gjeorgji për një rezultat pozitiv.

Lajme të ngjashme