Frenkie de Jong refuzon ofertën e Man United, nuk iu plotësuan kërkesat financiare - NACIONALE

Frenkie de Jong refuzon ofertën e Man United, nuk iu plotësuan kërkesat financiare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori Frenkie de Jong ka refuzuar një ofertë nga Manchester United, pasi nuk i janë plotësuar kërkesat financiare.

Trajneri Erik ten Hag e ka bërë prioritet nënshkrimin e holandezit që kur mori drejtimin e gjigantit anglez, me Barcelonën që dëshiron ta shesë nëse ky i fundit nuk pranon zbritjen e pagës.

Sidoqoftë, shpesh herë është raportuar se De Jong nuk është i interesuar të luajë në fanellën e Man Unitedit. Javët e fundit ka pasur negociata shtesë mes klubit dhe lojtarit, por tani 25-vjeçari e ka refuzuar përfundimisht.

"Kam dëgjuar, nga burime shumë të forta se oferta e Manchester Unitedit për Frenkie de Jong ka skaduar".

"Negociata të reja duhet të nisin. Ata duhet të bëjnë përmirësime të reja që t'ia plotësojnë dëshirat financiare të lojtarit", tha gazetari Marcel van der Kraan për "De Telegraaf".

Dëshira për qëndrimin te Barcelona dhe interesimi i Chelseas

Frenkie de Jong vazhdon ta ketë prioritet qëndrimin te Barcelona dhe pavarësisht që Xavi Hernandez është duke e vendosur në pozitë tjetër, asgjë nuk ka ndryshuar.

Tekniku spanjoll kohëve të fundit është duke e përdorur holandezin si qendërmbrojtës, pavarësisht se pozita e tij është mesfushor qendre, mirëpo kjo nuk ka ndikuar aspak te De Jong për ta konsideruar largimin.

Përpos Man Unitedit, interesim për holandezin së fundmi ka shprehur edhe Chelsea, me presidentin e tyre Todd Boehly që edhe e ka telefonuar këtë të fundit, mirëpo ende s’ka asnjë “dritë jeshile”.

20 herë kampioni i Anglisë në fakt ka një marrëveshje me Barcelonën për De Jong për 65 milionë euro plus 20 milionë euro bonuse.

De Jong zhvilloi vetëm 33 minuta në sfidën hapëse ndaj Rayo Vallecanos, ku Barcelona u ndal në një barazim pa gola.

Kontrata e tij momentale në fanellën blaugranase skadon në vitin 2026.

Lajme të ngjashme