PDK dhe Aleanca presin vazhdimin e seancës sot, Dehari dhe VV-ja nuk japin shenja
PDK-ja dhe Aleanca presin që sot në ora 11:00 të vazhdojë seanca konstiuive e Kuvendit.
Partia Demokratikë e Kosovës i ka shkuar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari.
Në letrën, e cila mban nënshkrimin e Sekretares së Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, i kërkohet deputetit Dehari që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për nesër në orën 11:00.
Letra në detaje ia rikujton deputetit të VV-së obligimet kushtetuese që ka si deputeti më i moshuar i Kuvendit të Kosovës.
“I nderuar z. Dehari, Po ju shkruaj sërish, në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është thënë në letër, duke rikujtuar shkeljet e Kushtetutës dhe aktgjykimit të Kushtetueses.
Kjo parti edhe sot i ka bërë thirrje liderit të VV-së, Albin Kurti, që të shkon në Kuvend.
Pas aksionit që deputetët e kësaj partie kanë zhvilluar para qeverisë, PDK-ja ka ftuar sërish që të vazhdohet seanca konstituive e Kuvendit.
“Albin, lëshoje Qeverinë dhe eja në Kuvend në orën 11:00, që ta konstituojmë. Kërkojmë urgjentisht rikthimin e rendit kushtetues! Demokraci - jo anarki!”, është thënë në një reagim të PDK-së.
Kërkesa e PDK-së është mbështetur edhe nga Aleanca. Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se kolegët e tij sot në ora 11:00 do të jenë në seancë.
Kurse, deputetët e LDK-së nuk pritet të jenë sot në sallën e Kuvendit.
Gjatë ditës së djeshme, askush prej LDK-së nuk është përgjigjur në ftesën e PDK-së për të qenë sot në sallën e Kuvendit.