AKB: Kur mungon dialogu politik, demokracia kthehet në përplasje-Kosova nuk mund të qeveriset me dhunë
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale dhe përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.
Moskonstituimi i Kuvendit, mungesa e dialogut politik dhe pamundësia për të gjetur një zgjidhje institucionale po e thellojnë krizën dhe po dëmtojnë besimin e qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve në institucionet e Kosovës.
AKB thekson se partia fituese ka përgjegjësinë e parë për krijimin e institucioneve, ndërsa opozita ka përgjegjësinë demokratike të marrë pjesë në funksionimin e Kuvendit, të kontrollojë, kritikojë dhe votojë sipas mandatit të saj. Opozita nuk është e obliguar të hyjë në Qeveri, por është e obliguar të ushtrojë mandatin e saj parlamentar.
Sipas AKB-së, kur mungon dialogu politik, nuk respektohen rregullat kushtetuese dhe parlamentare dhe debati politik kalon në përplasje fizike, cenohet demokracia dhe funksionimi institucional i shtetit.
“Kuvendi është vendi i debatit, argumentit dhe votës, jo i konfrontimit fizik”, thuhet në reagim.
AKB vlerëson se Kosova nuk mund të mbahet peng nga inatet partiake, ndërsa institucionet nuk mund të funksionojnë pa dialog dhe ekonomia nuk mund të presë.
Çdo ditë e bllokimit institucional, sipas AKB-së, rrit pasigurinë për bizneset dhe investitorët, frenon vendimmarrjen ekonomike dhe dëmton imazhin e Kosovës si destinacion për investime.
AKB u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen në dialog, të respektojnë Kushtetutën dhe rregullat demokratike, ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë institucione funksionale.
“Kosova ka nevojë për vota, jo për përleshje; për dialog, jo për bllokadë; për institucione, jo për krizë të përhershme”, ka thënë në fund kryetari i AKB-së, Agim Shahini, duke theksuar se interesi i shtetit, qytetarëve dhe ekonomisë duhet të jetë mbi çdo interes partiak.