Franco Foda: Rashica, Paqarada dhe Celina mungojnë ndaj Rumanisë, por do të luajmë futboll sulmues
Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda ka konfirmuar se në përballjen ndaj Rumanisë nuk do të jenë në dispozicion yjet si Milot Rashica, Leart Paqarada e Bersant Celina.
Tekniku gjerman në konferencë për media foli për listën e lojtarëve të ftuar, si dhe komentoi sfidën e vështirë ndaj Rumanisë në Bukuresht.
Fillimisht, ai konfirmoi se dyshja Zymer Bytyqi e Art Smakaj do të zëvendësojnë Rashicën, Paqaradën e Celinën.
"Fatkeqësisht kësaj radhe i kemi disa lëndime, nuk e kemi në dispozicion Rashicën, Paqaradën, Celinën. Me ekipin do të bashkohen Zymer Bytyqi dhe Art Smakaj."
Para disa javëve, FFK-ja njoftoi se mesfushori Vesel Demaku ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën, mirëpo ky i fundit nuk është në gjendje ta ndihmojë kombëtaren për ndeshjet e nëntorit shkaku i dokumentacionit.
"Vesel Demaku nuk është grumbulluar shkaku i problemeve me dokumentacion."
I pyetur se pse Rashica e Celina zhvilluan minuta në lojën e fundit për ekipet e tyre por s’janë gati për Kosovën, Foda tregoi më saktësisht se çfarë lëndime kanë.
“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Dje kam biseduar me Rashicën, ai kishte dhimbje dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të luajë. Sipas mendimit tim as në lojën e kaluar nuk është dashur të luajë. Ndërsa, Celina e ka një tronditje të lehtë të trurit, prandaj duhet qenë më të kujdesshëm me ekipin që zgjedhim”.
“Afërsisht para 10 ditëve kam diskutuar me Eliotin. Kemi pasur kërkesë nga trajneri i Kosovës U19, ai fillimisht do të luajë të mërkurën dhe pastaj do të shohim nëse do të na bashkohet në ekipin A. Kam biseduar edhe me drejtorin e ekipit të rinjve të Stuttgartit, për të cilin tani jemi në kontakt”.
Përndryshe, Foda në fund shtoi se nuk sheh probleme në mesfushë kurse ndaj Rumanisë duan të vazhdojnë të luajnë me futboll sulmues.
“Duke qenë se kemi disa të lënduar do t’i bëjmë disa ndryshime në ekip. Duam të jemi shumë ofansiv si në ofansiv. Në lojën e fundit ndaj Rumanisë nuk kishim fat, ku pranuam edhe gol. Nesër do të stërvitemi intensivisht dhe do të luajmë si në shtëpi, pra në mënyrë ofansive”.
“Te mesfusha nuk shoh probleme sepse kemi shumë lojtarë të mirë në dispozicion, si Berisha, Rexhbecaj, Jashari, Smakaj dhe Emërllahu sigurisht Rumania ka kualitetet e veta. Të shkojmë me shumë energji pozitive drejt Rumanisë”.