Franco Foda i bindur në fitore të Kombëtares së Kosovës ndaj Rumanisë, thotë se i ka studiuar kundërshtarët në detaje
Kombëtarja e Kosovës nesër do ta nisë sezonin e ri të Ligës së Kombeve, ku përballet me Rumaninë në Fadil Vokrri.
Kjo për Dardanët do të jetë ndeshja e parë në shtëpi pas shumë kohës, e para në krye me trajnerin Franco Foda.
Në konferencë për shtyp trajneri komentoi mbi ardhjet e reja, përgatitjen e skuadrës për ndeshje, teksa u shpreh i bindur se do të fitojnë nesër.
Foda e filloi duke thënë se kanë shumë alternativa tashmë me ardhjet e reja.
"Miqësoret kanë përfunduar. Nuk kemi kohë më për prova. Kemi shumë alternativa me ardhjet e reja. Duhet të luajmë për të fituar, jemi përgatitur maksimalisht për të fituar ndeshjet e ardhshme në kuadër të Ligës së Kombeve."
Trajneri i Kombëtares foli për Elvis Rexhbeçajn, të cilin e vlerësoi lart.
"Elvisi është një mesfushor që mund të përdoret në të gjitha pozitat në mesfushë. Është lider, shumë agresiv dhe me përvojën e tij te Augsburgu i sjell ekipit shumë të mira dhe ne do të mundohemi t'i përdorim aftësitë e tij."
Gjendja e fushës nuk është në situatën më të mirë sipas trajnerit, por se me ndihmën e tifozëve dhe përgatitjet që kanë bërë, ai tha se do të japin një energji të re në fushë.
"Është hera e parë në Fadil Vokrri për ne, deri më tani nuk kemi pasur ndeshje në shtëpi, nesër është e para. Fusha nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme, por kemi tifozët pas nesh, jemi të përgatitur si skuadër dhe duam të japim energji të re."
Foda tregoi se e njeh mirë trajnerin e kundërshtarëve, ku tregoi se ka analizuar atë se si luan, duke ia shikuar ndeshjet në ish-skuadrat e tij.
"Trajnerin e Rumanisë e njoh mirë, kam luajtur me të. Nuk kam pasur kontakte me të. Analizat i kemi bërë vetë. E kemi përcjellur këtë kombëtare në Evropian, e ka trajnerin e ri. E njohim nga Galatasaray dhe klubi në Ukrainë. Ata kanë ndryshuar trajnerin nga Evropiani, por e kemi analizuar lojën e tyre në detaje."
Për fund, trajneri potencoi se e kanë studiuar në detaje Rumaninë edhe me ndihmën e Ermal Krasniqit e Albion Rrahmanit, të cilët kanë luajtur deri vonë në elitën e futbollit rumun.
"Krasniqi e Rrahmani kanë luajtur në Rumani. Ata kanë bërë hap tutje duke kaluar në Sparta Pragë. Në ekip i kemi diskutuar të gjitha detajet. E kemi përvetësuar përvojën e këtyre lojtarëve në Rumani. E dimë mirë se si luajnë ata në defanzivë, në ofanzivë dhe si janë në kundërsulme. Jemi të bindur se do ta fitojmë lojën."