Franca nuk bën ndryshime në stafik tenik, Deschamps vazhdon kontratën deri më 2026 - NACIONALE

Franca nuk bën ndryshime në stafik tenik, Deschamps vazhdon kontratën deri më 2026

1 vit më parë

nga NACIONALE

Didier Deschamps do të vazhdojë të jetë përzgjedhës i Kombëtares së Francës. Ai nënshkroi kontratë të re katërvjeçare. Lajmin e kumtoi vetë Federata e Futbolit të Francës, duke u shprehur kështu e lumtur për këtë ujdi të arritur.

Përkundër shumë zërave që kanë qarkulluar se Zidane apo dikush tjetër do të mund të zyrtarizohej shumë shpejt në krye të stafit teknik të Francës, ashtu nuk ndodhi.

Sot, Federata e Futbollit të Francës zyrtarizoi lajmin se Deschamps ka vazhduar kontratën si përzgjedhës i kombëtares respektive edhe për katër vitet e ardhshme. Pra, ai do të jetë në krye të Francës edhe në Evropianin 2024 dhe Kupën e Botës 2026.

Deschamps falënderoi federatën për mundësinë e dhënë. Në mëngjesin e sotëm ai mbajti një fjalim në Këshillin e Përgjithshëm të federatës.

“Me presidentin e federatës kemi arritur marrëveshjen për vazhdimin e kontratës deri më 2026. E falënderoj presidentin. Në Katar kemi qenë shumë afër që të arrinim atë që dëshironim, pra titullin kampion. Ka pasur shumë gjëra pozitive. Dëshiroj ta falënderoj stafijn teknik dhe të gjithë të tjerët”, tha ai fillimisht.

Deschamps është në krye të Kombëtares së Francës prej vitit 2012. Ai ishte emëruar në këtë pozitë për të qenë kështu pasues i Blanc, i cili kishte zhgënjyer, pasi kombëtarja franceze ishte eliminuar qysh në çerekfijnale të Evropianit 2012.

Që atëherë, Deschamps ka nisur ripërtërirjen e organikës së kombëtares në mënyrë të vazhdueshme. Shpesh ka qenë në qendër të kritikave për futbollin jo shumë sulmues, por nuk do mend që ka arritur të korrë disa suksese.

Në vitin 2016 ia doli që ta dërgojë Francën në finale të Evropianit, anipse atë e humbi me rezultat minimal 1:0 ndaj Portugalisë, duke mos i ndihmuar kështu as faktori i të qenët si nikoqire e asaj ngjarje madhore.

Pas dy vjetësh ai ia doli ta drejtojë Francën drejt një triumfi të madh siç ishte Kupa e Botës 2018. Triumf i cili ishte shumë afër që të përsëritej edhe në Katar gjatë fundvitit që lëmë pas, por penalltitë ishin ato që ia kthyen shpinën francezëve, duke bërë të mundur kështu që Argjentina t’i gëzohej trofeut në fjalë.

Lajme të ngjashme