Franca nis peticion për përsëritjen e finales së Kupës së Botës, gati 200 mijë veta e nënshkruajnë - NACIONALE

Franca nis peticion për përsëritjen e finales së Kupës së Botës, gati 200 mijë veta e nënshkruajnë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gati 200 mijë tifozë të pakënaqur e kanë nënshkruar një peticion i cili i bën thirrje FIFA-s që ndeshja finale e Kupës së Botës mes Francës dhe Argjentinës të përsëritet.

Finalja e Kupës së Botës 2022 të dielën mbaroi në mënyrë dramatike, pasi Argjentina triumfoi me penallti ndaj Francës.

Argjentina shkoi në pushim mes pjesëve me epërsi të dyfishtë falë golave nga Lionel Messi dhe Angel Di Maria. Por Kylian Mbappe i shënoi dy gola për 97 sekonda për ta çuar ndeshjen në vazhdime.

Kombëtarja nga Amerika Jugore e ktheu epërsinë përmes Messit në vazhdime, por Mbappe e barazoi rezultatin sërish dhe ndeshja u desh të vendosej me penallti.

Argjentina e mund Francën 4:2 në penallti për ta fituar titullin e tretë në Kupën e Botës në historinë e vet.

Kjo disfatë e ka lënë një shije të hidhur tek përkrahësit e Francës, të cilët ndiejnë se iu bë padrejtësi kombëtares së tyre në Katar.

Ata i kanë kërkuar FIFA-s ta përsërisë ndeshjen duke e ngritur një peticion në MesOpinions, duke pretenduar se penalltia e parë e Argjentinës nuk duhej të jepej dhe se goli i dytë, i shënuar nga Di Maria, duhej të anulohej gjoja për një faull të shkaktuar në Mbappen gjatë atij aksioni.

Në përshkrimin e këtij peticioni shkruhet: “Referimi ishte plotësisht i shitur, ajo penallti nuk ishte penallti kurrë + Mbappe u faullua te goli i dytë!!!”

“Nënshkruaje dhe shpërndaje në masë këtë peticion që ndeshja të përsëritet!”

Ky peticion i ka marrë rreth 200 mijë nënshkrime deri tani.

Pavarësisht sa nënshkrime merr ky peticion, nuk ka gjasa që finalja Francë – Argjentinë të përsëritet.

Lajme të ngjashme