Franca ndalet me barazim nga Polonia, por kualifikohet në fazën e eliminimit direkt - NACIONALE

Franca ndalet me barazim nga Polonia, por kualifikohet në fazën e eliminimit direkt

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Francës ka zhgënjyer sërish në këtë Evropian, duke barazuar me Poloninë, kështu duke kaluar grupin vetëm si e dyta në grupin D.

Ndonëse e dominuan Poloninë në këtë takim, ata nuk arritën më shumë se një barazim 1:1.

Pjesa e parë e takimit i takoi kryesisht 'Gjelave' që tentuan golin disa herë, por Skorupski i disponuar për lojë, ia mohoi golin francezëve, me pjesën e parë që u mbyll pa gola në Dortmund.

Edhe pjesa e dytë vazhdoi në të mirë të Francës, me Mbappen që rrezikoi me të filluar 45 minutat e dyta, por sërish portieri polak ishte në vend.

E vetmja mënyrë që Franca t'i shënonte Skorupskit ishte penalltia. Dembele u ndal në mënyrë të palejueshme në zonë, me Mbappen që realizoi për 1:0 në minutën e 56-të.

Por Polonia arriti të kthehej në lojë.

Upamecano bëri një gabim të madh, duke shkaktuar ndërhyrje në Swiderskit, me gjyqtarin e takimit që akordoi penallti pas rishikimit të rastit në VAR.

Lewandowski mori përgjegjësinë për të goditur, me tentimin e parë u ndal nga Maignan, por ky i fundit kishte lëvizur nga vija e portës dhe penalltia u rikthye.

Në tentimin e dytë, ylli i Barcelonës shënoi për të barazuar rezultatin në 1:1.

Me këtë rezultat u mbyll takimi në Dortmund, me Francën që kualifikohet tutje nga vendi i dytë në grup, ndërsa Polonia eliminohet.

Gjelat në 1/8 e finales do të takohen me vendin e dytë të grupit E, që ende nuk është përcaktuar, pasi të gjitha skuadrat në atë grup momentalisht kanë nga tre pikë të grumbulluara.

Kjo përballje do të zhvillohet më 1 korrik në Merkur Spiel-Arena në Dusseldorf.

Lajme të ngjashme