Foda: Për neve nuk ka rëndësi vendimi i UEFA-s, por i lojtarëve sepse Kosova është Kosovë
Përzgjedhësi Franco Foda i ka qëndruar prapa vendimit të lojtarëve duke thënë se nuk i intereson se çfarë vendosë UEFA.
Kosova drejtuar nga kapiteni Amir Rrahmani refuzuan të rikthehen në fushë në përballjen ndaj Rumanisë, shkaku që tifozët rumunë e serbë nisën thirrjet “Kosova është Serbi”.
Të dielën, ekipin e Kosovë e vizitoi kryeministri Albin Kurti ndërsa në atë takim, përzgjedhësi Foda ka deklaruar se nuk i intereson fare vendimi i UEFA-s për këtë situatë.
“Për neve është e rendësishme që e kemi mbështetjen nga ju. Unë besoj se ka qenë vendimi i drejtë në atë moment. Për neve nuk është e rendësishme vendimi i UEFA-s, por ka qenë më i rëndësishëm vendimi ynë. Më e rendësishmja është deklarata e lojtarëve që Kosova është Kosovë, dhe kjo është ajo që vlen më së shumti dhe që racizmi nuk ka vend në stadium. Për këtë është e rendësishme që një shtet të vogël si Kosova të qëndrojmë të bashkuar, dhe pa dyshim na duhet përkrahja e juaj në këto momente”.
Ndërsa, qendërsulmuesi Vedat Muriqi e ka falënderuar kryeministrin Kurti për mbështetjen e dhënë ngase për lojtarët ka qenë një natë e vështirë.
“Na keni nderuar me këtë vizitë. Siç thatë edhe ju, ka qenë një natë e vështirë për ne, por besoj se kemi marrë një vendim të duhur ne si futbollistë dhe federata jonë. Jemi prekur emocionalisht dhe moralisht aty, për shkak të asaj kemi marrë vendim të mos dalim në fushë, duke e ditur se ju do të na përkrahni. Ju falënderoj në emër të lojtarëve për mbështetjen dhe çdo gjë që keni bërë për Republikën e Kosovës”.
Kosova rikthehet në “aksion” të hënën mbrëma në përballjen ndaj Lituanisë, e cila do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.