Florenzi shfrenon fantazinë: Te Leao e shoh Mbappen
Alessandro Florenzi ka dhënë disa deklarata për bashkëlojtarin e tij, Rafael Leao, me doza të qarta euforie.
Leao ishte lojtari më i dalluar te Milan, duke ndihmuar skuadrën që ta fitonte titullin kampion pas një dekade.
Depërtimet e portugezit ishin problematike për mbrojtësit e skuadrave italiane të Serie A, me ç'rast viheshin në vështirësi të qartë.
Kësisoj, për shokun e tij të skuadrës, Alessandro Florenzi, ai vlerësohet në superlativ, duke mos i kursyer këtu edhe krahasimet e tepruara.
"Leao si Mbappe"
Alessandro Florenzi u konfirmua si lojtar i Milanit, pasi skuadra kuqezi siguroi tërë kartonin e tij.
Edhe ai dha një kontribut të vlefshëm për Milanin në sukseset që skuadra korri gjatë sezonit të shkuar.
Kësisoj, duke qenë se ka një përvojë të theksuar në futboll, meqë ka luajtur edhe në skuadra si Roma apo PSG, ai është pyetur për të ardhmen e Rafael Leaos dhe se si e sheh atë si lojtar.
"Te Rafael Leao e shoh Mbappen, por me një dallim: Kylian para portës nuk gabon asnjëherë. Rafa është gati në atë nivel. Rafa është një lojtar i vërtetë, por mos ia thoni atij këtë", u prononcua Florenzi për numrin e sotëm të Gazzetta Dello Sport.
Shkëlqimi i Leao te Milan dhe pritshmëritë për sezonin e ri
Sulmuesi 23-vjeç portugez ka qenë protagonist i vërtetë te Milan, veçmas në sezonin paraprak.
Për këtë arsye ai me të drejtë llogaritet si lojtari tek i cili skuadra kampione italiane në fuqi do të mundohet të mbështetet për fillimin e sezonit t ëri.
Sidomos në pjesën e dytë të sezonit që lëmë pas, Leao ishte i pandalshëm, me asistet dhe golat e tij. Tërësisht në 34 paraqitje në Serie A gjatë edicionit 2021/2022, ai ka shënuar 11 gola dhe ka kontribuar me 10 asiste tjera.
Aftësia e tij për të dribluar ka qenë arma më e fortë për Milanin, duke krijuar një sinergji të lakmueshme në krahun e majtë, me një tjetër lojtar teknik siç është Theo Hernandez.
Tani nga ai pritet që të afirmohet edhe në Ligën e Kampionëve me paraqitje të mira, të cilat kanë munguar në sezonin e kaluar.
Vetë presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, ka deklaruar se njëri prej synimeve të skuadrës gjatë edicionit të ri është që ta kalojnë me sukses fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, pasi një gjë të tillë nuk arritën ta bënin dot gjatë vitit të kaluar.
Andaj, duke llogaritur edhe përforcimin në ardhje, De Ketelaere, si dhe përvojën e Ibrahimovic dhe Giroud, ashtu sikurse afrimin e Origit - Leao do të ketë akoma më shumë hapësirë që t'i dëshmojë cilësitë e veta.


