Ylli i Milanit: Edhe vitin e kaluar na thoshin se Interi e Juventusi ishin favoritë para neve
Fikayo Tomori është shfaqur i sigurt se Milani ka shanset e veta për ta mbrojtur titullin, duke thënë se edhe vitin e kaluar nuk ishin favorit por në fund triumfuan.
Kuqezinjtë siguruan titullin e parë në kampionatin italian në këtë dekadë, nën urdhrat e Stefano Piolit, duke përfunduar mbi Interin me dy pikë më shumë pas 38 ndeshjeve. Me tre fitues të ndryshëm të Serie A-së në tre vitet e fundit, ky sezon do të jetë një nga më të mirët në kohët e fundit.
Duke folur për La Gazzetta dello Sport, Tomori tha se ishte nga lojtarët e parë të Milanit që filloi të fliste për mundësinë e fitimit të kampionatit italian.
“Po, isha nga të parët që fillova të besoja në titull. E dija që skuadra është e fortë dhe mund të fitonim. Jam i lumtur që arritëm triumfin në fund.”
Në pyetjen se kur u siguruan se titulli ishte i fituar, Tomori tha se goli i tretë i Franck Kessie ndaj Sassuolos në ndeshjen e fundit, ishte goli i sigurisë.

“Goli i tretë i Kessies ndaj Sassuolos në ndeshjen e fundit ishte momenti kur e dinim se tanimë jemi kampion. Por ne kemi bërë mirë në shumë ndeshje, si kundër Lazios, Fiorentinës, Atalantas....”
“Ne i thamë njëri-tjetrit se do të vazhdojmë me këto paraqitje, në çdo ndeshje, në çdo minutë, gjithmonë duke luftuar. Në fund, kur Kessie shënoi atë gol, isha shumë i lumtur.”
Mbrojtësi anglez komentoi situatën e Milanit sot, dhe gjasat për triumfin në këtë vit, duke thënë se do të luftojnë sërish në çdo ndeshje.
“Ne jemi të lumtur, por tani ne startojmë me 0 pikë sikur të tjerët, jo me 86. Ne duhet të luftojmë fortë. Jemi kampion, gjithkush dëshiron të na mposht ne.”
24-vjeçari gjithashtu u ndal tek tifozët dhe gjithkush që beson se Milani është favoriti i tretë për të triumfuar këtë vit, pas Juventusit dhe Interit.
“Mirë, këtë e thoshin edhe në vitin e kaluar, dhe po vazhdojnë sërish. Kemi sigurinë në vetvete, e dimë që jemi të fortë. Kemi shumë për të bërë këtë vit por ne fituam vitin e kaluar. Pse jo edhe sivjet?”
“Ndihemi edhe më të fortë këtë vit, duke parë vetëbesimin te bashkëlojtarët. Kemi një ndjenjë që mund të bëjmë diçka speciale këtë vit. E kemi bërë vitin e kaluar, por tani kemi presion më ndryshe. Duhet ta përsëritim vetën tonë. Këto ditë kemi punuar më fortë se vitin e kaluar, duhet të jemi gati.”

