Flasin nga Klinika Emergjente, japin detaje mbi gjendjen e Agim Ademit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi vazhdon të jetë në klinikën emergjente ku janë duke iu kryer disa rentgene, por që s’ka ndonjë gjë serioze.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla për Nacionalen ka treguar se Ademi vazhdon të jetë në spital, mirëpo pritet që të lirohet së shpejti.
"Po momentalisht jemi duke u marrë me të. Jemi duke ia bërë disa rentgene për zemër, por s'është ndonjë gjë serioze. Lirohet shpejtë besoj, s’ka qenë ndonjë gjë serioze", tha shkurtimisht Syla.
Ademi kërkoi trajtim në QKUK pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë vendosi ta dërgojë në mbajtje për 48 orë pas akuzave për veprat penale “Keqpërdorim i Besimit” dhe “Shmangie në tatim”.
Çfarë ndodhi?
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është ndaluar për 48 orë, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale shmangie nga tatimi, njoftoi të mërkurën Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale ‘Keqpërdorimi i besimit’, nga neni 330 dhe ‘Shmangie nga tatimi’, nga neni 307 të KPRK-së”, njoftoi prokuroria.
“I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale.”
