Kryetari i FFK-së Ademi ndalohet në burg për 48 orë nga Prokuroria - NACIONALE

Kryetari i FFK-së Ademi ndalohet në burg për 48 orë nga Prokuroria

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është ndaluar për 48 orë, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale shmangie nga tatimi, njoftoi të mërkurën Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Policia dje i kishe bërë thirrje Ademit të paraqitej në stacionin policor dhe ai e ka bërë një gjë të tillë të mërkurën në mëngjes.

Pas shumë orëve marrje në pyetje, ai u ndalua dhe do t’i kalojë dy ditët e ardhshëm në paraburgim.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale ‘Keqpërdorimi i besimit’, nga neni 330 dhe ‘Shmangie nga tatimi’, nga neni 307 të KPRK-së”, njoftoi prokuroria.

“I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale.”

Dje u mor në pyetje Agim Gashi, zyrtar financiar në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Javën e kaluar, Ademi u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për detyrim në një rigjykim të tejzgjatur.

Ademi bashkë me Muharrem Ramën akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar t’i jepte 30 mijë euro ose një “BMW X5”.

Prokuroria pritet të ankohet ndaj këtij vendimi.

Shefi i futbollit në vend po përballet me autoritetet përsëri dhe në prag të fillimit të një fushatë tejet të rëndësishme të Kosovës në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024.

Kosova e nis atë që do të jetë fushata e dytë kualifikuese për një evropian këtë të shtunë me 25 mars përballë Izraelit në Tel Aviv.

Tri ditë më vonë, të martën më 28 mars, dardanët e presin Andorrën në Fadil Vokrri në Prishtinë.

Lajme të ngjashme