Fiorentina rikthen interesimin për Nedim Bajramin
Fiorentina është prej klubeve më aktive në tregun e lojtarëve, por akoma nuk e ka kompletuar skuadrën për sezonin e ri. Ekipi "viola" e dëshiron edhe Nedim Bajramin.
Nedim Bajrami ka lënë mbresa të mira në sezonin e tij të parë në Serie A, të cilin e zhvilloinë 2021/'22 me fanellën e Empolit.
Si rezultat i paraqitjeve të tij të mira, ai është vënë në shënjestër të disa klubeve italiane. Deri më tani më konkretja është shfaqur Fiorentina.
Menjëherë pas mbarimit të kampionatit kishte nisur të spekulohej për një kalim të mundshëm të Bajramit te Fiorentina, por më pastaj u duk se gjithçka mbaroi, pasi klubi toskan siguroi shërbimet e sulmuesit Jovic.
Fiorentina rikthen sytë te Nedim Bajrami
Fakti që Fiorentina ka bërë investime të rëndësishme deri më tani, nuk nënkupton se llogaritë janë mbyllur për afatin kalimtar veror.
Sipas të përditshmes sportive italiane, La Gazzetta Dello Sport, Fiorentina është e gatshme ta prezantojë një ofertë për Bajramin në drejtim të rivalit lokal, Empoli. Mirëpo, për ta bërë një gjë të tillë, Fiorentina së pari duhet t'i shesë disa lojtarë. Pulgar dhe Maksimovic janë emrat më të përfolur për t'u larguar.
Fantazisti shqiptar 23-vjeç është bashkuar me Empolin në fazën përgatitore, ani se nuk e ka përjashtuar një largim të mundshëm nga klubi. Në çdo rast ai ka edhe dy vite tjera kontratë të vlefshme me Empolin.
Në Serie A ylli i Kombëtares së Shqipërisë ka zhvilluar 35 paraqitje, ku mes tjerash ka shënuar 6 gola, duke kontribuar edhe me 7 asiste tjera.
Ai vitin e kaluar luante edhe me një tjetër bashkëkombës të tij në fazën e dytë të kampionatit, mesfushorin Kristjan Asllani, i cili së voni i është bashkuar Interit.
Edhe largimi i tij nga Empoli shihet si shumë i mundur. Fiorentina me trajnerin Italiano shihet si njëri ndër ekipet favorite për ta siguruar një plasman në njërën prej kompeticioneve evropiane, gjë që ekipit toskan i mungon prej shumë kohësh.

