FFK-ja ua mbylli derën e selisë së vet klubeve që shkuan për te diskutuar për krizën
Rreth 10 klube të futbollit, shumica nga Superliga, e gjetën të mbyllur derën e selisë së Federatës së Futbollit të Kosovës kur shkuan të shtunën në mesditë për të diskutuar për telashet me të cilat po përballet futbolli në vend.
Gazeta Nacionale merr vesh nga burime të veta brenda klubeve se ato nuk i pritën në takim as nga presidenti i FFK-së Agim Ademi e as nga ndonjë zyrtar tjetër.
Krejt ky mobilizim i skuadrave kosovare vjen pasi FFK nuk plotësoi kushtet që klubet e saj të përfitojnë nga ligji për sponsorizim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës(MKRS).
Ende nuk dihet nëse shtëpia e futbollit të Kosovës do të arrijë të plotësojë kushtet për t’u licencuar si federatë në radhë të parë, kjo për shkak se numri një i FFK-së, Agim Ademi është në rigjykim, dhe se Komisioni për Licencim i ka dërguar vërejtjet e saj për këtë pjesë.
Se ligji për sponsorizim është i rëndësishëm fillimisht për ekzistencën e klubeve, tregon pjesëmarrja e madhe e skuadrave nga Superliga e Liga e parë dje në takim për diskutim, ku në një lokal ishin mbledhur rreth 20 klube.
Klubet kosovare të futbollit tani veçse përballen me telashe financiare, e kur i shtohet kësaj edhe problemi me ligjin për sponsorizim, që me mungesën e tij për shumicën absolute të këtyre skuadrave do të nënkuptonte kolaps i plotë.
Sipas burimeve të Gazetës Nacionale të gjitha klubet e mëdha ishin prezentë në takimin e parë, përveç Ballkani, Llapit e Gjilanit për të cilat kohët e fundit është vërejtur një afërsi me presidentin Ademi.
Ligji për sponsorizim është i paraparë që të lehtësojë investimet e sipërmarrësve në sport, duke ua shkurtuar për 30% taksat, të cilat mund t’i derdhnin në arkat e klubeve respektive, dhe të marrim shembull Gjilanin që mbeti pa zot shtëpi, pa këtë ligj, vështirë se dikush do të merrte rrezikun për të investuar në forca të veta.
Një burim i Nacionales që morri pjesë dje në takim tha: “Nëse nuk ka zgjidhja për ligjin për sponsorizim, ne as në përgatitje nuk mund t’i dërgojmë ekipet tona.”
Për të diskutuar për temën e njëjtë, skuadrat nga elita e futbollit kosovar u takuan edhe sot dhe ashtu të organizuara tentuan që të takoheshin me numrin një në federatë apo ndonjë zyrtarë për të mësuar më shumë për të ardhmen e tyre.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk i ka plotësuar kushtet që klubet e saj të përfitojnë nga ligji për sponsorizim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS) dhe një nga kushtet që Gazeta Nacionale ka siguruar është se Agim Ademi ka tentuar mashtrimin duke ofruar certifikatën e vizës në vend të certifikatës origjinale të gjykatës.



