FFK-ja po tenton t’i ikë përgjegjësisë së dështimit për t’u licencuar, duke i nxitur klubet t’i bëjnë presion MKRS-së - NACIONALE

FFK-ja po tenton t’i ikë përgjegjësisë së dështimit për t’u licencuar, duke i nxitur klubet t’i bëjnë presion MKRS-së

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Federata e Futbollit e Kosovës, FFK, iu ka shkruar klubeve të veta anëtare duke iu kërkuar atyre t’i bëjnë presion Komisionit për Licencim të Ministrisë së Sportit, me sa duket në përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë së dështimit për t’u licencuar.

FFK-ja, si shtëpia udhëheqëse e futbollit në vend, është e detyruar të aplikojë vetë për ta marrë licencën e nevojshme për organizimin e garave të futbollit.

Deri tani, megjithatë, përpjekjet e FFK-së për ta siguruar atë kanë qenë plotësisht të dështuara, pasi Komisioni për Licencim i Ministrisë së Sportit ka gjetur shumë parregullsi brenda kësaj organizate që ia pamundësojnë licencimin nëse ato nuk përmirësohen.

Si pasojë e paaftësive për t’u licencuar, së fundmi, më 6 janar, FFK-ja u dërgoi email klubeve të veta anëtare – të cilën Gazeta Nacionale e ka siguruar – duke iu kërkuar atyre të ushtrojnë trysni ndaj Komisionit për Licencim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Përshëndetje të nderuar përfaqësues të klubeve… me respekt kërkojmë nga ju që në lidhje me paqartësitë me komentet dhe vërejtjet e Komisionit për klubin tuaj, ju lutem që të ju drejtohuni direkt me email, telefon ose fizikisht dhe kërkoni sqarime nga ta direkt...pasi janë komisioni që i ka dhënë komentet dhe ata dinë arsyet e atyre komenteve, pasi që edhe për ne një pjesë e vërejtjeve të komisionit janë të pabaza”, shkruhet në një emial të FFK-së dërguar klubeve, të cilën e ka parë Gazeta Nacionale.

Përgjegjës për marrjen e licencës në MKRS është vetë FFK-ja dhe ajo e ka autorizuar kryetarin e vet, Agim Ademin, për këtë, që nënkupton se klubet nuk mund të përfshihen me ministrinë në këtë proces, sipas Nenit 12 të Udhëzimit Administrativ.

“Kërkesa për licencim në cilësinë e Federatës sportive bëhet me shkrim nga themeluesit e subjektit apo personi i autorizuar ligjërisht prej saj sipas Formularëve të këtij Udhëzimi Administrativ”.

Klubet janë të shqetësuar me dështimin e FFK-së për ta marrë licencën, prandaj edhe ato i janë drejtuar shpesh federatës së vet për të biseduar për këtë çështje.

Si pasojë e moslicencimit, klubet vitin e kaluar humbën mundësinë për të përfituar ndihmë financiare nga ministria përmes ligjit për sponsorisim.

Ato nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë nga ky ligj tejet lehtësues dhe fitimprurës për klubet e futbollit deri në çastin e licencimit të FFK-së.

Por, përveç që ka qenë shpërfillëse ndaj tyre, FFK-ja ka tentuar edhe t’i nxisë ato t’i shkojnë madje edhe në derë MKRS-së.

Në fund të dhjetorit, dhjetëra klubet shkuan për t’u takuar me krerët e FFK-së në selinë e federatës, por u kthyen mbrapsht pasi e gjetën derën mbyllur.

Madje, sipas kryetarit të Trepçës ’89, Abedin Zeka, një zyrtar i federatës kishte refuzuar t’i fotografonte ata duke iu thënë se më parë do t’i kishte shkrepur foto presidentit të Serbisë, Aleksander Vuciq.

"Aty e kemi gjetur vetëm një punëtor të federatës, të cilit Ejupi i kërkoi të na e bënte një fotografi neve që ishim aty. Ai na tha ma përpara e fotografoj Vuciqin se juve", tha Zeka.

Lajme të ngjashme