FFK: Do ta mirëpresim Rumaninë në "Fadil Vokrri" dhe presim prej tyre të bëjnë të njëjtën gjithashtu
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar se do ta zhvillojnë në "Fadil Vokrri" ndaj Rumanisë dhe presin që Federata Rumune t'i mirëpret në ndeshjen kthyese.
Kosova dhe Rumania ndodhen në të njëjtin grup me kombëtare të tjera si Zvicra, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian "Euro 2024".
Lidhur me ndeshjen Kosovë - Rumani, ka reaguar edhe FFK, të cilët thonë se do ta zhvillojnë këtë sfidë në "Fadil Vokrri" dhe presin që rumunët ta bëjnë të njëjtën kur janë nikoqir.
"Ne do ta mirëpresim Rumaninë në stadiumin Fadil Vokrri njësoi si rivalët e tjerë dhe presim që nga ana e Rumanisë të bëjnë njëjtë (në ndeshjen kthyese). Futbolli bashkon njerëzit, shtetet dhe është vetë motoja e UEFA-s".
“Nuk kemi pasur asnjë pengesë për të luajtur kundër ndonjë shteti tjetër dhe kjo është dëshmuar në vitet e fundit”.
"Edhe pse në të kaluarën ka pasur zëra në media që janë përpjekur të kenë qasje politike ndaj ndeshjeve kundër Kosovës, në fund ndeshjet janë luajtur sepse UEFA është e pakompromis në këtë drejtim dhe nuk lejon ndërhyrjen e politikës në sport", thuhet në përgjigjen e FFK-së për "BIRN", përcjellë "BalkanIsight".
Si arriti puna deri në këtë situatë?
Pas hedhjes së shortit, Rumania dhe Kosova ranë në të njëjtin grup, por rumunët nuk janë të sigurt nëse duan t’i mirëpresin “Dardanët”, pasi dy shtetet nuk njihen mes vete.
Ish ministri i tyre i jashtëm, Teodor Melescanu tha se më e mira është që të mos zhvillojnë ndeshjet ndaj Kosovës, edhe nëse kjo nënkupton që të humbin sfidën në tavolinë me rezultat 3:0.
“Kosova nuk njihet nga një sërë shtetesh, përfshirë edhe ne, Rumaninë. Ne nuk e kemi njohur kurrë pavarësinë e Kosovës. Normalisht, ajo që mund të bëhet në këtë moment është që federata jonë e futbollit, përmes Răzvan Burleanu, të diskutojë edhe me shtetet e tjera që kanë të njëjtin pozicion si Rumania dhe së bashku do të duhet të arrijnë një rrugë që as të shkatërrojë të gjithë sistemin.
“Prandaj, unë do të thoja se FRF do të duhet të gjejë zgjidhje. Nëse jo, ajo që mund të bëhet është të humbasim 3-0 me Kosovën”, tha ish-ministri i Jashtëm Melescanu.
Çfarë thonë nga Federata e Rumanisë?
Këtë mundësi që e dha ish ministri i jashtëm i Rumanisë, Melescanu nuk e ka hedhur poshtë as Federata e Futbollit të Rumanisë, duke deklaruar se do të diskutojnë me Qeverinë para se të marrin vendimin përfundimtar.
"Duke marrë në konsideratë faktin se Rumania dhe Kosova janë në një grup për kualifikimet e Euro 2024 dhe duke marrë në konsideratë situatën politike, FRF do të ketë dialog me Qeverinë e Rumanisë që të mësojë kushtet kur kombëtarja jonë do të përballet me Kosovën", thuhet në përgjigjen e Federatës Rumune për mediumin "GSP".
UEFA e ashpër: Rumania mund të diskualifikohet
Gazeta Nacionale ishte interesuar lidhur me këto deklarata të njëpasnjëshme, duke dërguar pyetje edhe në shtëpinë e futbollit, UEFA.
Sidoqoftë, UEFA ishte shumë e qartë, duke kujtuar nenin 30 të rregullores, ku tregohet haptas se nëse një Federatë refuzon të luajë, do të merren masa përfshirë diskualifikimin nga gara.
"Neni 30 i rregullores së garës e bën të qartë këtë. Nëse një Federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshjeje apo mos zhvillimin e saj plotësisht, atëherë Komiteti i UEFA-s për Etikë, Kontroll dhe Disiplinë mund të ndërmarrë masa shtesë disiplinore të cilat vlerësohen si të përshtatshme për federatën në fjalë, përfshirë diskualifikimin nga gara”, thuhej në përgjigjen e UEFA-s për Nacionalen.
Për fund, kujtojmë se Kosova do të nis aventurën për “Euro 2024”, si mysafir i Izraelit më 25 mars, para se të zhvillojë sfidën ndaj Andorrës tre ditë më vonë në “Fadil Vokrri”.
