FFK-së mund t'i merret licenca dhe futbolli të dështojë, paralajmëron zyrtari i Ministrisë së Sportit - NACIONALE

FFK-së mund t'i merret licenca dhe futbolli të dështojë, paralajmëron zyrtari i Ministrisë së Sportit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës rrezikon t'i hiqet licenca nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për shkak të shkeljeve që i ka bërë me thirrjen e parakohshme të zgjedhjeve për president, ka paralajmëruar ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë ministri Fikret Shatri.

Ministria e Sportit javë më parë gjeti se FFK-ja e ka shkelur ligjin për sport dhe statutin e vet duke i thirrur zgjedhjet për 6 prill.

Duke folur në “Kanal 10” të dielën, Shatri tha se kur Federata e Futbollit të Kosovës të kthejë letrën dhe mbetet konstatimi nga ekspertët se është shkelur ligji, në rastin më të keq do t’i merret licenca FFK-së.

"Nuk po të bëjë interpretim ligjor pa bërë zyra ligjore sepse janë ekspertët dhe gjithmonë ku ka pas probleme në Federata të caktuara, kanë bërë zgjidhje të duhura, por në rastin më të keq është më iu marrë licenca një Federate, ku konstatohet, faktikisht janë bërë konstatime që është shkel ligji për sport, mundet me iu tërheq licenca".

Tutje, Shatri tregoi në detaje se çfarë ndodh kur një Federate i merret licenca, duke deklaruar se nuk do t’iu lejohet të organizojnë asnjë garë.

"Në rast që iu tërhiqet licenca, këtë rast Federata e Futbollit nuk mundet me organizu gara, sepse s'ka polici dhe policia nuk t'lejon me organizu gara nëse i shkel rregullat e shtetit, ky është rasti më i keq që mundet me ndodh, që nuk ma merr mendja që ka ndonjë të krisur që ka qejf me ndodh kjo. Pas atij rasti, edhe klubet edhe Federata edhe krejt organizatat varëse përjashtohen nga ligji për sponsorizim".

Në rast që nuk ndryshon situata momentale, kryetari aktual Agim Ademi mbetet kandidat i vetëm.

Në fakt, djali i legjendës Fadil Vokrri, Gramozi, javë më parë dorëzoi 16 nënshkrime që e bënin kandidat, por pas rishikimit nga Komiteti Ekzekutiv rezultuan se votat e klubeve si Prishtina, Ulpiana dhe FC Kika nuk ishin me rregull dhe kështu iu refuzua aplikimi.

Për këtë situatë, Vokrri akuzoi Ademin, duke deklaruar se ka bërë manipulime që të jetë kandidat i vetëm për postin e FFK-së, ngase nuk donte kandidat.

“A e ke pritur vendimin? Po shihet qartë tendenca për të anashkaluar çdo lloj konkurrence. Me mbërri deri në këtë pikë, jam më shumë i befasuar sidomos duke i parë ngjarjet e fundit që ka pasur akuza e kundëraktakuza. Si t'i besoj këtij njeriu që gënjen vazhdimisht për letrën që e pranoi nga UEFA, prandaj nuk mund t’i besojë as kësaj letre që ma mohon kandidimin", ishte deklarata e me 23 mars.

Lajme të ngjashme