Ermal Krasniqi: Premtoj se nuk do të ndalem me kaq, shpresoj të shënoj sa më shumë gola për kombëtaren
Kombëtarja e Kosovës fitoi sot ndaj Lituanisë, në kuadër të xhiros së tretë të grupit C2 në Ligën e Kombeve.
Dardanët triumfuan me rezultat 2:1 dhe në mesin e golashënuesve ishte Ermal Krasniqi, i cili foli pas ndeshjes, duke premtuar se nuk do të ndalet me kaq.
"Të shënosh për kombëtare është ndjenjë e veçantë, edhe për mua ishte ashtu. Ju premtoj tifozëve dardanë se nuk do të ndalem me kaq dhe shpresoj që të vazhdoj të shënoj sa më shumë gola për kombëtaren tonë."
Pas Ermalit, Lumbardh Dellova tha se terreni i vështirësoi punët për ta, por që me rëndësi ishin tre pikët.
"Jemi të gëzuar për këtë fitore, duke marrë parasysh që edhe terreni ishte shumë i vështirë, pasi nuk ishte për lojën që dëshironim ta luanim, por me rëndësi ishin tre pikët dhe vazhdojmë kështu. Të radhës e kemi ndeshjen me Qipron, shpresojmë të vazhdojmë kështu, që t'i marrim tre pikë dhe pse jo ta kryesojmë grupin."
Muharrem Jashari që hyri si zëvendësues tregoi se ishte ndjenjë e veçantë për aq sa luajti dhe sa ka pritur gjatë për këtë moment.
"Ndjenjë e mirë. Kam pritur shumë gjatë për këtë debutim. Ndjenjë e veçantë për mua për ato minuta që m'u dhanë, më shumë i lumtur për fitore. Fusha na ndikoi pasi ishte shumë e keqe dhe jo si në ato që u stërvitem, por i arkëtuam tre pikë dhe vazhdojmë përpara."
Portieri debutues, Amir Saipi, tha se mezi priste të hynte në fushë sot, duke e përshkruar si ndjenjë të pabesueshme.
"Para se të gjithash i lumtur që debutova. Mezi prita të hyja në fushë dhe të luaja sot. Ishte ndjenjë e pabesueshme".
Kujtojmë se Kosova pas fitores së sotshme, niset për në Prishtinë, ku do të përgatiten për ndeshjen e radhës më 15 tetor ndaj Qipros në Fadil Vokrri.