Kombëtarja e Kosovës triumfon ndaj Lituanisë, Zhegrova ylli i ndeshjes - NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës triumfon ndaj Lituanisë, Zhegrova ylli i ndeshjes

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore ndaj Lituanisë me rezultat 2:1, në kuadër të Ligës së Kombeve, në xhiron e tretë.

Dardanët u përballen me lituanezët në kuadër të grupit C2, në Kaunas.

Skuadra e Franco Fodës e filloi shumë mirë takimin, duke e dominuar pothuajse krejtësisht pjesën e parë, por niveli i lojës ra në pjesën e dytë, me vendasit që filluan të sulmonin në minutat e fundit të takimit.

Goli i parë për Kombëtaren e Kosovës erdhi vetëm pas 20 minutash lojë.

Ishte ylli kosovar i Lilles, Edon Zhegrova, që shënoi gol të bukur për 1:0, pas një kombinimi me Florent Muslijën.

Dardanët ishin më të mirë edhe në vazhdim, por ndryshim në rezultat nuk pati në pjesën e parë, me skuadrat që shkuan në pushim me rezultatin e minutës së 20-të.

Në 45 minutat në vazhdim, Lituania u tregua më e rrezikshme, ndonëse të dy skuadrat shënuan nga një gol.

Pas një aksioni të gjatë, Milot Rashica asistoi për Ermal Krasniqin, që shënoi gol të jashtëzakonshëm për 2:0, në minutën e 65-të.

Pas golit të dytë, niveli i lojës te Kosova ra dukshëm, me Lituaninë që dominoi minutat në vazhdim, madje duke arritur të shënonin.

Zhvillohej minuta e 84-të kur një reagim i dobët në mbrojtje te Kosova, u pasua me një gabim të tmerrshëm nga portieri debutues Amir Saipi, nga ku Golubickas përfitoi për të shënuar lehtësisht për 2:1.

Deri në fund nuk pati më ndryshim në rezultat, ndonëse Saipi u tregua edhe në një rast i pasigurt.

Kosova iu gëzua fitores në Lituani, dhe tani ka gjashtë pikë në grupin C2, aq sa ka edhe Rumania me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Lituanisë dhe Qipros zhvillohet me fillim nga ora 20:45.

Kujtojmë se Kombëtarja e Kosovës pas tre ditësh takohet me Qipron në Fadil Vokrri.

Lajme të ngjashme