Erik ten Hag: Ronaldo duhet të përballet me pasoja patjetër - NACIONALE

Erik ten Hag: Ronaldo duhet të përballet me pasoja patjetër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, ka thënë se Cristiano Ronaldo duhet të përballet patjetër me pasoja, pasi nuk pranoi të futej në lojë si rezervist në fitoren kundër Tottenhamit të mërkurën.

Ronaldo, 37 vjeç, u largua nga stadiumi Old Trafford para përfundimit të ndeshjes, pasi u çua nga stoli dhe eci drejt zhveshtores në minutën e 89-të.

Si pasojë, Ronaldo nuk u thirr fare për ndeshjen e së shtunës kundër Chelseat dhe po stërvit vetëm.

I pyetur drejtpërdrejt nëse Ronaldo nuk pranoi të futej në lojë, Ten Hag tha: “Po”.

Ai shtoi se pasi sulmuesi portugez e kishte bërë të njëjtën gjë pas pjesës së parë në një ndeshje miqësore kundër Rayo Vallecanos në verë, atij i duhej të vepronte tani.

“Biseda është mes meje dhe Cristianos. Qëndrimi im është i qartë. Po aq e qartë është se ai mbetet pjesë e rëndësishme e skuadrës”, theksoi Ten Hag.

“Unë jam trajneri, unë jam përgjegjës për kulturën këtu. Unë duhet t’i vendos standadet dhe vlerat dhe të kem kontroll mbi ata. Jemi në një ekip”.

Trajneri holandez shpjegoi: “Pas ndeshjes me Rayo Vallecanos, unë i thashë se ishte e papranueshme. Kur ndodh për herë të dytë duhet të ketë pasoja. Kjo është ajo çfarë ndodhi. Ai do të na mungojë nesër, neve dhe skuadrës, por mendoj se është e rëndësishme për mendësinë dhe sjelljet e lojtarëve”.

Sjellja e Ronaldos është kritikuar ashpër nga shumë, përfshirë nga ish-sulmuesi i Anglisë Gary Lineker, i cili e quajti veprimin e tij të papranueshëm dhe nga ish-trajneri i Unitedit Peter Schmeichel, i cili tha se kjo ishte hera e parë që ai u ndje tejet i zhgënjyer me sulmuesin.

Të enjten, Ronaldo tha se veproi në zemërim e sipër, megjithëse refuzoi të kërkonte falje.

Ai e ka shënuar vetëm një gol në tetë paraqitje në Premierligë këtë sezon, dhe po ashtu shfaqi pakënaqësi edhe kur u nxor nga loja në pjesën e dytë të barazimit të Unitedit 0:0 me Newcastle Unitedin në fundjavën e kaluar.

Lajme të ngjashme