Futbollisti i Superligës figuron në transferimet e shkuara që po hetohen nga Prokuroria italiane
Çështja e suficitit financiar artificial ka hyrë në fazën më të nxehtë për Juventusin. Në listën e transferimeve që po hetohen nga kaluara është edhe ajo e futbollistit të Dukagjinit, Çëndrim Kameraj, kur kartoni i të cilit blehej nga Lugano.
Duhet saktësuar menjëherë faktin që akuza nuk ka të bëjë me integritetin e futbollistit, e aq më pak me futbollin kosovar apo Dukagjinin si klub futbollistik.
Gjithçka flitet për të kaluarën jo shumë të largët. Deri para tre vjetësh Kameraj ishte pjesë e grupmoshave të Juventusit. Mu në këtë vit Prokuroria e Torinos dyshon se Juventus ka intensifikuar shkëmbimet dhe shitjet e lojtarëve me klube të tjera, jo për çështje sportive, sa për ta rregulluar bilancin vjetor, i cili filloi një tatëpjetëze të frikshme nga 2019, e që erupsionin maksimal e arriti një vit më vonë me fillimin e pandemisë Covid-19.
Pra, natyrisht pa fajin e lojtarit, sipas hetuesve italianë Juventus nuk kishte përdorur vetëm emrat e mëdhenj për të bërë shkëmbime të tilla (si ai i famshmi mes Pjanic dhe Arthur), por edhe lojtarë të rinj në moshë siç ishte fjala me Çëndrim Kamerajn kur luante me Juventus U23.

Prokurorët e Torinos janë të bindur që ka ekzistuar një aks Torino – Zvicër, ku drejtuesit e Juventusit kanë gjetur një kimi të mirë me drejtuesit e futbollit në shtetin helvet.
Si rrjedhojë, ish-Këshilli Drejtues i Juventusit me në krye Andrea Agnelli, do t’i përgjigjet drejtësisë më 20 janar edhe për transferimin e dyshes Kameraj dhe Macek te Lugano për diç më shumë se 2 milionë euro.
Mesfushori kosovar nuk qëndroi gjatë në futbollin helvet. Pasi kaloi në parametra zero te Kriens në sezonin 2021/2022, ai vendosi që të transferohej te Dukagjini në Superligën e Kosovës, ku po angazhohet në sezonin aktual.
Emri i Kamerajt mori edhe vëmendje e numrit të djeshëm të gazetës më të madhe sportive italiane, "La Gazzetta Dello Sport", e cila vinte theksin te faktin se dikur ishte përdorur nga Juventusi për ta rregulluar bilancin vjetor, ndërsa sot luan në Superligën e Kosovës.

