Emmanuel Macron: Do të provoj ta bind Mbappen për qëndrimin te PSG-ja
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka deklaruar se do të provojë sërish ta bind Kylian Mbappen që të mos largohet nga Paris Saint-Germain.
Situata e francezit është në vëmendjen e të gjithëve pasi i konfirmoi PSG-së që nuk do ta rinovojë kontratën, andaj klubi e ka vendosur në shitje.
PSG është e qartë me Mbappen, rinovo ose largohu në verë pavarësisht deklaratave të këtij të fundit se dëshiron të qëndrojë edhe një tjetër sezon në “Parkun e Princave”.
Së fundmi, presidenti i Francës ka treguar se do të provojë sërish ta bind Mbappen për të qëndruar.
“Nuk kam as ide (se çfarë po ndodh), por do të provoj ta bindi për të qëndruar”, thuhet se ishte deklarata e Macronit për “RMC Sport”.
Macron intervenoi edhe në vitin 2022
Presidenti i Francës bëri çmos dhe arriti ta bind Mbappen për ta refuzuar Real Madridin dhe të rinovojë kontratën me PSG-në në verën e vitit 2022.
Francezi ishte agjent i lirë verën e kaluar dhe ishte shumë pranë kalimit te Real Madridi, mirëpo pastaj me ndërhyrjen politike të Macron si dhe sheikëve të Arabisë Saudite ai vazhdoi kontratën për dy vite, me opsion për një tjetër.
Sidoqoftë, Macron i kishte mohuar këto akuza duke thënë se vetëm kishte biseduar me fituesin e Kupës së Botës.
“Ju siguroj që nuk kam intervenuar në këtë transferim. Jam si çdo qytetar tjetër te sporti, kam dëshirë të shoh një ndeshje të mirë dhe ta mbështes një skuadër, në këtë rast Olympique de Marseille. Kisha një bisedë me Mbappen, duke e këshilluar të qëndrojë në Francë”, kishte shpjeguar ai.
Ndërkohë, Mbappe thuhet se nëse largohet këtë verë do t’i bashkohet vetëm Real Madridit meqenëse nuk dëshiron kalimin në Premierligë pavarësisht interesimit të klubeve angleze.
