Elliott ia fiton tre pikët Liverpoolit në frymën e fundit të takimit, skuadra e Kloppit e rrëmben vendin e parë në Premierligë
Krejt në çastet e fundit, Liverpool shënoi fitore ndaj Crystal Palace 2:1, ndonëse këta të fundit ishin me një lojtar më pak në fushë. Heroi ishte Harvey Elliott, që në këtë takim erdhi si zëvendësues.
Pjesa e parë e takimit, ndonëse u dominua nga të kuqtë me posedim, raste të mira shënimi nuk pati dhe si rrjedhojë, u mbyll pa gola.
Vendasit ishin të parët që shënuan gol në këtë takim. Ishte Jean-Philippe Mateta që nga penalltia e çoi topin në rrjetë për 1:0 në minutën e 57-të.
Gëzimi nuk zgjati shumë te Palace, pasi Mohamed Salah riktheu skuadrën në lojë, kur shënoi për 1:1 në minutën e 76-të, i asistuar nga Curtis Jones, pak çaste pasi nga ndeshja u përjashtua Jordan Ayew pas kartonit të dytë të verdhë.
Harvey Elliott që në këtë takim hyri në lojë në minutën e 74-të, ishte heroi i Liverpoolit, pasi doli në skenë në çastet vendimtare, për të shënuar gol në minutat shtesë, me Salah që asistoi.
Ky gol, doli të ishte goli i fitores dhe i tre pikëve, që Liverpoolin e çon në vendin e parë, ndonëse kjo mund të jetë vetëm përkohësisht, në varësi se çfarë rezultati arrin Arsenali ndaj Aston Villës pak orë më vonë.