El Clasico: Statistikat dhe analizat e skuadrave – pritet një përballje e ‘zjarrtë’ në “Camp Nou”
Barcelona është nikoqir i Real Madridit të dielën në kuadër të kryederbit të xhiros së 26-të në La Liga.
Skuadra e Xavit është në krye të tabelës me nëntë pikë diferencë nga Real Madridi që është në vendin e dytë. Barcelona ka humbur dy ndeshjet e fundit në “Camp Nou” ndaj “Los Blancos”, prandaj do të bëjë gjithçka që t’i jep fund kësaj serie negative dhe të rrit avantazhin në kampionatin spanjoll.
Derbi mes dy rivalëve të përbetuar është gjithnjë i zjarrtë, por çfarë thonë statistikat?
Barcelona nuk di për humbje në tre ndeshjet e fundit, duke përfshirë edhe fitoren ndaj Real Madridit në Kupën e Mbretit. Me 15 gola dhe pesë asiste nga 21 ndeshje, Robert Lewandowski është ylli kryesor momental te katalunasit.
Ronald Araujo do të rikthehet për Barcelonën pasi ka qenë i ndëshkuar për një ndeshje nga kartoni i kuq ndërsa Pedri dhe Dembele nuk do të jenë të pranishëm për shkak të lëndimeve.
Real Madridi ka humbur një herë në 10 ndeshjet e fundit dhe ajo humbje ka qenë ndaj Barcelonës në ndeshjen e parë të Kupës së Mbretit në gjysmëfinale. Skuadra e Carlo Ancelottit kanë marrë besim nga dy ndeshjet e fundit, duke shënuar dy fitore. Gjithashtu madrilenët triumfuan kundër Liverpoolit duke vazhduar në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.
Karim Benzema ka qenë në formë të mirë në aspektin e golave për Madridin dhe pritet të luajë rol të rëndësishëm në ndeshjen kundër Barcelonës. Edhe pse ka humbur disa ndeshje këtë sezon për shkak të lëndimeve, ai ka një rezultat më të mirë të shënimeve (0.73 gola për ndeshje) në krahasim me Lewandowski (0.71 gola për ndeshje).
David Alaba është lojtari i vetëm që do të mungojë për Real Madridin për shkak të lëndimit. Ferland Mendy rikthehet në skuadër gjithashtu.
“El Clasico” do të zhvillohet më datë 19 mars (të dielën), me fillim nga ora 21:00 në stadiumin Camp Nou në Barcelonë.