Ekskluzive: Orges Bunjaku i bashkohet Kosovës
Orges Bunjaku e ka zbuluar për Gazetën Nacionale se ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke hequr dorë nga Zvicra të cilën e kishte përfaqësuar në të gjitha nivelet e të rinjve deri tani dhe duke e hedhur poshtë ofertën e Shqipërisë.
Bunjaku, 20 vjeç, do ta marrë pasaportën e Kosovës nesër para se të shkojë në Federatën e Futbollit të Kosovës për ta nënshkruar besnikërinë e tij për atdheun e prindërve.
Mesfushori qendror, që është rritur dhe formësuar në klubin e Baselit si futbollist, verën e kaluar iu bashkua klubit nga kategoria e dytë të futbollit francez, Grenoble në Ligue 2 duke nënshkruar marrëveshje trivjeçare. Baseli e ka një klauzolë në ujdinë me klubin franez që ia mundëson ta kthejë Bunjakun në St. Jakob-Park në fund të këtij sezoni.
Ai i ka thënë Gazetës Nacionale se ndihet shumë i lumtur dhe krenar që do ta përfaqësojë vendin e prindërve.
Babai i Orgesit, Naser Bunjaku, ishte lindur në Malishevë dhe me vendbanim në Prishtinë, para se të migronte në Zvicër në vitin 1993.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur që kam mundësinë ta përfaqësoj vendin e prindërve të mi dhe e pres me padurim ditën për të dhënë gjithçka në fushë për kombëtaren e Kosovës”, tha Bunjaku për Gazetën Nacionale.
Bunjaku - i lindur në Uznach, një komunë me rreth gjashtë mijë banorë në kantonin e St. Gallen - thotë se e ka lënë anash mundësinë për të luajtur për Kombëtaren A të Zvicrës, si dhe e ka refuzuar një ofertë nga Shqipëria, duke e zgjedhur Kosovës.
Bunjaku theksoi për Nacionale: “T’ju them të drejtën unë me menaxherin tim dhe familjen time e kemi marrë gjithë kohën e duhur që ta studiojmë mirë çdo detaje. Siç e dini edhe ju unë kam luajtur për te gjitha grupmoshat e Zvicrës dhe rrugën për në nacionalen (Kombëtaren A) e kisha të hapur por ishte një proces që nuk dihej kur dhe si. Kisha dhe ofertën e Kombëtares së Shqipërisë. Por duhet të pranoj se FFK-ja dhe personalisht presidenti Agim Ademi, mënyra se si ai i është qasur dhe përkushtimi i tij shumë serioz dhe bindës, edhe kur dihet se unë jam me origjinë nga Kosova, unë u përcaktova për Kombëtaren e Kosovës”.
Ish-mesfushori i Baselit e kishte përfaqësuar Zvicrën në ekipet kombëtare nga U15 deri në U20.
“Unë nga ky moment që kam vendosur të luaj për Kombëtaren e Kosovës jam i gatshëm ta jap maksimumin tim”, këmbënguli ai.
Bunjaku është ende në kërkim të golit të parë në fanellën e Grenoble në Ligue 2, për të cilën i ka zhvilluar 13 ndeshje deri tani këtë sezon.
Ai ndodhet në Prishtinë për të nënshkruar me FFK-në të martën, por nuk është e qartë nëse do të thirret nga trajneri Alain Giresse për dy ndeshjet e këtij muaji, duke qenë se trajneri e ka grumbulluar ekipin e Kosovës javën e kaluar.