Edon Zhegrova drejt majes së futbollit evropian: Një vit më parë në pikën ‘më të ulët’, tash na bëri t’i përbijmë fjalët tona - NACIONALE

Edon Zhegrova drejt majes së futbollit evropian: Një vit më parë në pikën ‘më të ulët’, tash na bëri t’i përbijmë fjalët tona

1 muaj më parë

nga Vivianit Gërguri

Mbrëmjen e të premtes kur po niste ky vikend, Edon Zhegrova bëri ‘kërdi’ në Francë. Ai shënoi dy herë për t’i dhënë fitoren Lilles kundër Lensit në ndeshje kampionale.

Ky dygolësh është pjesë e serisë së tij absolutisht mahnitëse këtë sezon me skuadrën e tij. Por, është edhe i veçantë pasi përbën një demonstrim cilësie në momentin më të mirë të mundshëm në njërën prej pesë ligave më të forta të botës.

Talenti i Edonit nuk ka qenë asnjëherë i diskutueshëm. E diskutueshme ka qenë nëse do t’ia dilte të arrinte në nivele të larta ku duhet punë e madhe e konsistencë.

Ai i mbush nesër 25 vjet. Por, uljet e tij përgjatë viteve ishin të frikshme. Dukej sikur rënia e tij do të ishte e tillë sa do ta shihnim edhe te ndonjë ekip kosovar pas pak kohësh. Kishim parë talente tona që binin në formë. Qe rasti i Zenelit, për shembull.

Të merremi pak me momentin më të ulët të tij për sytë tanë. Ishte ndeshja kundër Andorrës. Ne u zhgënjyem kolektivisht pasi s’arritëm më shumë se një barazim 1:1. Të vetmin gol do ta shënonte Edon Zhegrova. Por, pasi shënoi, Edoni e kishte zhveshur fanellën në një gëzim të shfrenuar. Pak çaste pas asaj zhveshje të fanellës, Kosova do ta pësonte golin dhe Edoni do të tallej nga i madh e i vogël.

Në atë kohë, Edoni luante në sezonin e parë te Lille. Kishte statistika të dobëta. Edhe në atë kohë e kishe afër ditëlindjen, si tash. Do t’i bënte 24 vjet. E me 24 vjet, ai s’mund të quhej më “talent i ri”. S’i faleshin gabimet.

Edoni kishte qenë në tri ekipe të ndryshme në Belgjikë. Ne kishim shpresuar. Kishte qenë edhe te Baseli i Xhakës e Shaqirit. Ne kishim shpresuar. Kalimi në Lille na zuri pak në befasi. Kishim vazhduar të shpresonim. Por, pas atij sezoni të parë dhe pas kalimit të aq shumë viteve duket se u lodhëm së shpresuari.

Se në çfarë derexhe e kishim lënë Zhegrovën na tregoi edhe videoja ku ai kapet me dhunë nga trajneri i Kosovës në Rumani. E trajtuam rastin sikur disi ai e meritonte atë trajtim.

E kur gati askush prej nesh s’besonte më te Zhegrova, atij i besoi ky person: Paulo Fonseca. Trajneri i ekipit të Lille.

Le ta pranojmë: s’e kemi pritur këtë shpërthim të Zhegrovës. E megjithatë ndodhi. Një shpërthim gjigant të cilit do t’ia shohim hairin, ani pse ndoshta s’e meritojmë. Edoni ka qenë mes lojtarëve kryesorë të ekipit të tij që po lufton për një vend që çon në Ligë të Kampionëve.

Ai ka marrë pjesë në 22% të golave të shënuar. E ka gjetur veten në 11-shen e parë në 77% të rasteve. Edoni deri tash ka arritur të shënojë 5 gola në ligë. 3 gola në kupë. Dhe 3 tjerë në Conference League.

Rritja e Zhegrovës është e frikshme. Ai ndodhet aty ku ne e ëndrronim të ishte kur ai ishte te Genku në Belgjikë. Ai ndodhet aty ku plot prej nesh që e kemi sharë duhet t’i përbijmë fjalët tona.

Momentalisht, vlera e tij është 15 milionë euro. Por, pritet të rritet e të rritet. Dhe nëse forma e tij vazhdon të jetë e këtillë – s’ka nevojë të ngritet fare – atëherë Edoni mund ta gjejë veten në diskutim për lojarin më të mirë kosovar të të gjitha kohërave.

Lajme të ngjashme