Eden Hazard planifikon pensionimin dhe vazhdimin e jetës në Madrid
Sulmuesi Eden Hazard pritet të pensionohet nga futbolli në moshën 32-vjeçari, pasi ndërpreu kontratën me Real Madridin.
Belgu shihet si transferimi më i dobët në historinë e klubit spanjoll, ku asnjëherë s’arriti ta dëshmojë kualitetin shkaku i lëndimeve të shpeshta.
Mundo Deportivo raporton se Hazard tani vërtetë po e planifikon pensionimin dhe është i interesuar për të vazhduar jetën në Madrid se bashku me familjen e tij.
Kësisoj, dëshira për të vazhduar jetën në Madrid është duke ia vështirësuar punët në aspektin profesional pasi duhet ose të gjejë një klub pranë qytetit ose të pensionohet, me këtë të fundit si opsioni më i mundshëm.
Në komunikatën e Realit që konfirmoi largimin e Hazardit thuhej: “Real Madrid dhe Eden Hazard kanë arritur marrëveshje ku lojtari do të lirohet nga klubi më 30 qershor 2023”.
“Real Madrid dëshiron ta falënderoj Eden Hazardin dhe i uron suksese atij dhe familjes së tij në fazën e ardhshme”.
Pas largimit si ‘hero’ nga Chelsea, një kalim te Real Madridi e ndryshoi tërë karrierën e tij meqenëse zhvilloi vetëm 76 paraqitje duke shënuar shtatë gola dhe dhuruar 12 asistime.
Kujtojmë, Hazard u pensionua edhe nga kombëtarja e Belgjikës pas Kupës së Botës.
