E pritur, tifozët e Trepçës shkaktojnë 'kolon' për të siguruar një biletë për finalen e fundit ndaj Yllit - NACIONALE

E pritur, tifozët e Trepçës shkaktojnë 'kolon' për të siguruar një biletë për finalen e fundit ndaj Yllit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Finalja e pestë dhe e fundit në Superligën e Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe Yllit zhvillohet sot në Minatori dhe ashtu siç pritej tifozët kanë bllokuar rrugën që çon drejt dyqanit ku blihen biletat.

Ashtu siç ndodh zakonisht në ndeshjen e skuadrës mitrovicase, po ndodh edhe tani, duke ditur pasionin e tifozëve për skuadrën e Trepçës që vazhdon të mbetet nga të vetmet që përfaqëson këtë qytet denjësisht.

Biletat në shitje dolën në orën 09:00 dhe tashmë rrugët janë krejtësisht të bllokuara nga njerëzit që kërkojnë një biletë.

Palestra Minatori parashihet t’i ketë rreth 3000 vende për tifozët, por nga pamjet duket që kërkesa është larg më e madhe dhe natyrisht shumë nga ata do të mbesin pa biletë për ndeshjen jetike të skuadrës së tyre.

Gazeta lokale MitrovicaSot ka publikuar pamje nga radhët e gjata pranë dyqanit sportiv të KB Trepçës, pamje të cilat kanë qenë normale për ndeshjet e kësaj skuadra në të paktën dy sezonet e fundit.

Trepça sot kërkon titullin e parë kampion në Superligë pas 12 vitesh, duke i dhënë fund serisë prej dy finaleve të humbura radhazi.

Në anën tjetër, Ylli, që është skuadra e vetme që në këtë sezon ka fituar dy ndeshje ndaj mitrovicasve në sezonin e rregullt, në tri sezonet e fundit të zhvilluar ka dy tituj dhe tani kërkon të tretin në katër vite.

Seria finale është 2:2, me ndeshjen përcaktuese sot që zhvillohet me fillim nga ora 19:00 në Palestrën Minatori në Mitrovicë.

Lajme të ngjashme