Finalja e 5-të, Superliga e Kosovës: Trepça e kërkon titullin e parë pas 12 vitesh, Ylli të tretin në katër vitet e fundit
Sot (e enjte), zhvillohet finalja e pestë dhe përcaktuese për titullin kampion në Superligën e Kosovës mes KB Trepçës dhe KB Yllit, me serinë finale që është 2:2 deri më tani.
Mitrovicasit nuk kanë fituar titull të Superligës që nga sezoni 2011/12 dhe do ta kërkojnë sot me çdo kusht, duke ditur se luajnë pranë tifozëve në palestrën Minatori.
Në anën tjetër, Golden Eagle Ylli, është një nga skuadrat më të mira në vitet e fundit, ngase në tre sezonet e fundit dy herë kanë fituar titullin kampion, ndërsa tani kanë mundësi që këtë numër ta rrisin në tre.
Ylli e kishte mposhtur në finale 3:1 Trepçën dy sezone më parë, ku pikërisht në Minatori ishin kurorëzuar me titullin e dytë në histori të klubit, por sa do ta lejojnë mitrovicasit një gjë të tillë të përsëritet, mbetet të shihet sot.
Trepça ka qenë skuadra më e mirë e sezonit të rregullt, duke dominuar ndaj çdo skuadre në duelet e drejtpërdrejta, me vetëm Yllin që kishte dy humbje dhe dy fitore, ndaj kjo finale ka qenë më interesantja ndër vite.
Seria finale është 2:2, ku secila nga skuadra ka fituar ndeshjet në terrenin e saj, ndaj edhe sot përcaktuese mund të jetë palestra Minatori, ku pritet të jetë e mbushur plotë.
Trepça e filloi shumë mirë serinë finale duke fituar ndeshjen e parë me rezultat 77:68, por e humbën të dytën 80:79 ndonëse u kthyen në lojë pas një disavantazhi prej 21 pikëve në çerekun e fundit. Ndeshja e tretë i takoi mitrovicasve që shënuan fitore 85:78, ndërsa të fundit e fitoi Ylli 75:71.
Përballja në Minatori fillon sonte në ora 19:00, ku Trepça tenton ta evitojë humbjen e tretë me radhë në finale, për ta sjellë trofeun pas 11 sezoneve dhe të pestin në histori të klubit.