Ballkani konfirmon se klubi rumun Cluji e ka shkelur afatin e pagesës së çmimit të Ermal Krasniqit - NACIONALE

Ballkani konfirmon se klubi rumun Cluji e ka shkelur afatin e pagesës së çmimit të Ermal Krasniqit

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Edhe pse ka kaluar disa muaj që kur iu bashkua CFR Clujit nga KF Ballkani, skuadra rumune ende nuk e ka paguar kartonin e Ermal Krasniqit, një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori sportiv Nderim Nexhipi për Gazetën Nacionale.

Ermal Krasniqi në janarin e kaluar kaloi te Cluji, ku i ka bindur të gjithë me kualitetin e lartë dhe tani është në vëmendjen e disa skuadrave të mëdha evropiane, si Lazio, Torino dhe Mallorca.

Sidoqoftë, Ballkani ende nuk e ka marrë asnjë cent nga Cluji për Krasniqin pavarësisht që iu ka kaluar edhe ultimatumi, gjë që e konfirmoi edhe vetë Nexhipi.

Po, është e vërtetë që Cluji ende s’na ka paguar për Krasniqin. Maksimumi kanë mundur të presin deri në fundin e marsit”, tha shkurtimisht ai.

Si pasojë e kësaj, Ballkani ka bërë padi në FIFA dhe synon që t’i marrë ato para përmes gjyqit, së paku kështu raportoi "newsport.al".

Cluj mesa duket është mësuar me mos-shlyerjen e borxheve ngase muajin e kaluar edhe u dënuan nga UEFA me mospjesëmarrje në garat evropiane për dy vite për shkak të mos pagesave të faturave të detyruara.

Ky vendim megjithatë mund të ndryshojë sapo ata t'i paguajnë tërë borxhet. Përpos kësaj edhe u gjobiten me 250 mijë euro.

Marrëveshja mes Ballkanit dhe Clujit për shërbimet e Krasniqit

Ballkani me shitjen e Krasniqit te Cluji ka fituar plot 200 mijë euro plus 15 për qind në shitjen e radhës, pa përfshirë bonuset.

Ky bonus ka vlerën e 175 mijë eurove, sidoqoftë vështirë të arrihet me gjendjen momentale pasi Cluji nuk është pranë kualifikimit për Ligën e Kampionëve.

Skuadra rumune renditet në pozitën e dytë dhe vetëm nëse siguron kualifikimin për Ligën e Kampionëve, Ballkani do të mund t’i fitonte ato para.

Nexhipi për Nacionalen muaj më parë e kishte quajtur këtë marrëveshje si binzes i mrekullueshëm për klubin kosovar.

"Ishte e vështirë sepse kontrata i skadonte verës dhe rumunët donin ta merrnin që tani në mënyrë që ai të kishte kohë të ambientohej sa më shpejtë. Ne duke pasur parasysh se ai verës dilte lojtar i mirë kemi bërë marrëveshje të jashtëzakonshme. Po e konfirmoj shumën prej 300 mijë eurove dhe 15 për qind të kartonit. Besoj që është një shumë mjaft e mirë, duke theksuar edhe njëherë se e dinim që Ermali do të lëvizte si lojtar i lirë", kishte thënë ai.

Ermal Krasniqi pritet të largohet nga Cluji qysh në verë pasi pëlqehet nga klubet italiane dhe spanjolle, me Lazion si favorit. Përndryshe, rumunët kanë pranuar tri oferta zyrtare deri më tani.

Lajme të ngjashme