E konfirmojnë nga Cluji: Kemi marrë tri oferta serioze për Ermal Krasniqin
Sulmuesi kosovar Ermal Krasniqi pritet që në verë të bëhet me një skuadër të re, me CFR Clujin që tashmë ka marrë tre oferta në tavolinë.
Krasniqi po vazhdon me formën fantastike, ku të enjten shënoi golin e fitores që siguroi kualifikimin e Clujit në gjysmëfinale të Kupës së Rumanisë.
Një ndër financuesit e Clujit, Nelutu Varga ka konfirmuar për "Prosport.ro" se tashmë kanë pranuar tre oferta për shërbimet e 24-vjeçarit.
"Janë tri oferta për Krasniqin. Janë oferta të qarta, por jo vetëm për të. Janë shtatë futbollistë që kanë oferta dhe do të shohim në verë çfarë do të vendosim", deklaroi ai.
Mediumi në fjalë shton se Torino, Fiorentina dhe Mallorca janë skuadrat që kanë shprehur interesim, pranë Lazios, kjo e fundit shihet si favorit pasi mund t'i ofrojnë 5 milionë euro - aq sa kërkon klubi rumun.

Përpos kësaj edhe shtypi italian ka konfirmuar interesimin e Lazios për Krasniqin, duke deklaruar së fundmi që trajneri Maurizio Sarri e ka përmendur emrin e lojtarit në një takim me bordin drejtues.
"Siç është përmendur do të ketë nevojë edhe për një anësor tjetër. Nga emrat që janë thënë janë Berardi i Sassuolos, Jesper Karlsson i AZ-së dhe përpos këtyre Sarri foli edhe për Ermal Krasniqin", kështu se paku shkroi "Cittaceleste.it".
Arsyeja pse Krasniqi është favorit te Lazio është çmimi i kartonit, pasi dy lojtarët e tjerë kushtojnë rreth katër ose pesë herë më shumë se kosovari.
Kuptohet një lëvizje e tillë mund të ndodhë nëse Lazio arrin të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve, ku Sarri do të shpërblehej me një buxhet të rritur për afatin e verës.
