“E ka tepruar” - Prishtina kërkon që gjyqtari Bejtullahu të mos gjykojë në ndeshjet e saj më
Prishtina ka kërkuar që gjyqtari Mervan Bejtullahu të mos gjykojë më në ndeshjet e skuadrës së saj, duke e akuzuar atë për gabime të vazhdueshme në dëm të saj.
Prishtina do të përballet me kampionin në fuqi Ballkanin të enjten dhe Federata e Futbollit ende nuk ka vendosur për caktimi ne gjyqtarëve të kësaj xhiro që zhvillohet në mesjavë.
“Njoftojmë opinionin publik, që Klubi i futbollit, FC Prishtina, sot zyrtarisht ka bërë kërkesë në FFK, që gjyqtari, Mervan Bejtullahu është i padëshiruar në ndarjen e drejtësisë në ndeshjet tona”, njoftoi klubi bardhekaltër në Facebook.
Prishtina është duke shpresuar për një vend në Evropë vitin e ardhshëm, por ngel pesë pikë mbrapa vendit të tretë në Superligë, ku ndodhet Gjilani, dhe i cili është i fundit që siguron një vend në kualifikime.
Megjithatë, ajo është në finale të Kupës së Kosovës dhe nëse fiton do ta përmbushë synimin.
Bejtullahu gjykoi në barazimin e Prishtinës me Llapin 0:0 në fundjavë dhe klubi kryeqytetas e akuzon atë për shfuqizimin e një goli.
“Bejtullahu më nuk është i dëshiruar të na i gjykojë ndeshjet deri në mbarim të këtij edicioni dhe të njëjtit do t’i vazhdohet ndalesa edhe për edicionin e ardhshëm. Për të treguar arsyet e këtij vendimi tonë drastik janë të shumta, që nga fillimi i këtij edicioni e deri te ndeshja e fundit me Llapin kur anulohet goli i rregullt”, thuhet tutje në njoftimin e Prishtinës.
Ai ka gjykuar shpesh në ndeshjet e Prishtinës këtë sezon dhe klubi më i trofeshëm në vend këmbëngul se nuk ka telashe me asnjë gjyqtar pos tij.
“Ne e bëjmë të qartë së nuk kemi probleme me gjyqtarët tjerë, megjithëse ka pasur gabime në dëmin tonë, por i kemi konsideruar si gabime njerëzore. Por, z. Bejtullahu e ka tepruar në çdo gjë dhe tani më është bërë e tepërt”.
FFK-ja pritet që më së largu nesër ta bëjë të ditur ndarjen e gjyqtarëve nëpër ndeshjet e mesjavës.
Prishtina njoftoi se do t’iu drejtohet edhe FIFA-s e UEFA-s me materiale nga ndeshjet për të dëshmuar se është dëmtuar nga njëri prej gjyqtarëve të saj.
“Po ashtu, do të ndërmarrim të gjitha masat që me videoinçizime përcjellëse ta njoftojmë edhe UEFA-n edhe FIFA-n për gabimet e marra në dëm të ekipit tonë nga ky gjyqtar që njëherësh bartë edhe stemën e FIFA-s.”