Dukagjini eliminon Europan e Gjibraltarit – avancon në rrethin e dytë ku e pret Rijeka
Skuadra kosovare Dukagjini ka arritur të kualifikohet në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës pasi eliminoi Europan me rezultat të përgjithshëm 5:3.
Pas fitores 2:1 në Prishtinë, Dukagjini triumfoi me rezultat 2:3 si mysafir për ta siguruar ‘biletën’ për në raundin tjetër.
Ishte Iljasa Zulfiju që shënoi pas vetëm 23 minutave lojë për t’i dhënë epërsinë Dukagjinit.
Zulfiju ishte i saktë nga pika e bardhë, me arbitrin që akordoi 11-metërsh shkaku i një ndërhyrje të rrezikshme.
Situata u tensionua vetëm disa minuta më vonë, ku Shabani dhe Pozo u ndëshkuan me kartonë të kuq për sjellje josportive.
Europa nuk u dorëzua menjëherë duke barazuar rezultatin përmes Quintana, që shënoi nga pika e bardhë pas një 11-metërshi të shkaktuar nga Arbër Shala.
Sidoqoftë, ky i fundit e përmirësoi gabimin vetëm dy minuta pasi nisi pjesa e dytë duke realizuar pas një asistimi të Mërlakut (47’).
Fitoren e Dukagjinit e vulosi vetë Zulfiji me një gol të bukur pas një tjetër asistimi të Mërlakut (79’).
E tëra që arritën të bënin vendasit ishte goli i dytë dhe njëkohësisht i fundit, i realizuar nga mesfushori Antonio Vera pas një harkimi të Quintanas.
Kësisoj, Dukagjini siguron kualifikimin në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku e pret gjiganti kroat Rijeka.