“Duhet të shënojmë më shumë gola” – Ten Hag e konfirmon se Man Utd ka nevojë për një sulmues
Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, e ka konfirmuar se janë në kërkim të një sulmuesi në afatin kalimtar të janarit, duke thënë se skuadra e tij duhej të shënonte më shumë gola, në fitoren ndaj Nottingham Forestit me rezultat 3:0.
Djajtë e kuq humbën Cristiano Ronaldon, pasi ndërprenë marrëveshjen një muaj më parë, dhe tani kanë vetëm Anthony Martial që njihet si sulmues qendror në skuadër.

Klubi gjithashtu ka humbur garën për objektivin e raportuar, Cody Gakpo, ndaj rivalit të Premierligës, Liverpoolit dhe duket shumë e mundshme që United do të duhet të futet në tregun e huazimeve për të siguruar shërbimet e një qendërsulmuesi me Glazers që kërkojnë të shesin klubin.
Duke folur pas fitores 3:0 në shtëpi ndaj Nottinghamit, Ten Hag tha se nuk ishte shumë i kënaqur me skuadrën e tij para portës kundërshtare.

“Duhet të shënojmë më shumë gola. Krijuam shumë raste dhe deri në minutat fundit nuk shënuam për golin e tretë. Ne duhet ta përfundojmë këtë lojë në një moment më të hershëm. Vetëm pas pjesës së parë, ne krijuam dy raste vërtet të mira dhe ju duhet ta përfundoni atë lojë në një moment më të hershëm. Jeta do të jetë më e lehtë. Shumë lojëra në shtëpi, atëherë mund të kurseni më shumë energji, kështu që është më mirë për të gjithë. Por edhe për përparimin e ekipit, na duhet kjo.”
Holandezi u pyet për tregun e transferimeve, ku tha se janë në kërkim por se duhet të plotësuar disa kritere, ndërsa nuk pranoi të fliste për Gakpon.

“Nuk flas për ndonjë rast individual. Jemi gjithmonë në treg, por janë disa kritere sportive, gjithashtu edhe ato financiare dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të sjellë atë lojtar që na nevojitet.”

