Shkëlqen Rashford, Manchester United fiton pastër ndaj Nottingham Forest - NACIONALE

Shkëlqen Rashford, Manchester United fiton pastër ndaj Nottingham Forest

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marcus Rashford ka qenë kryefjala në fitoren e sontme që arriti Manchester United me rezultat 3:0 kundër Nottingham Forest. Sulmuesi anglez shënoi një gol dhe kontribuoi me një asist tjetër.

Në “Old Trafford” Manchester United shënoi një fitore të çmuar, pasi arriti ta mposhtë pa asnjë problem Nottingham Forestin.

Vendësit kaluan në epërsi në minutën e 19-të. Një këndore që u ekzekutua nga ana e majtë përmes Eriksen ishte përcaktuese për zhbllokimin e rezultatit.

Mesfushori kreativ danez pasoi shkurtazi në brendi të 16-metërshit për Rashford, i cili koordinoi një goditje mjaft të bukur me të djathtën e tij, duke shënuar për 1:0.

Tre minuta më vonë, gjersa Nottingham Forest po bënte përpjekjet e veta për t’iu kundërpërgjigjur golit të pësuar nga “Djajtë e Kuq”, u shënua edhe goli i dytë në ndeshje.

Gjithmonë në të njëjtën portë dhe gjithnjë me të njëjtin protagonist. Ishte Rashford që në rolin e asistmenit gjeti të lirë Martialin. Sulmuesi francez nga pozita ballore shënoi për mrekulli duke gjetur këndin e majtë të portës për 2:0.

Sulmet e skuadrës nikoqire vijuan në drejtim të portës mysafire. Mirëpo, goli i tretë dhe i fundit në ndeshje u shënua tek në minutën e 87-të.

Ishte një gol i gjithi “brazilian”, pasi Casemiro shërbeu në drejtim të bashkëkombësit të tij Fred, i cili nga afërsia nuk gaboi duke vulosur fitoren prej 3:0.

Me këtë fitore Manchester United shkon në kuotën e 29 pikëve, duke zënë pozitën e 5-të në renditjen tabelore, me vetëm një pikë distancë nga Tottenham. Një përparësi shtesë për “Djajtë e Kuq” në këtë aspekt është se ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndeshjen e radhës Manchester United do ta luajë në ditën e fundit të këtij viti kalendarik, më saktësisht më 31 dhjetor, kur me fillim në ora 13:30 do të luajë si mysafir ndaj Wolves.

Lajme të ngjashme